Më shumë se 120 vende i thanë jo presidentit amerikan, Donald Trump, me votën kundër në OKB. Ditën e djeshme, në Asamblenë e OKB-së u votua një rezolutë me anë të së cilës u kërkohet SHBA-ve të tërheqin njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.
Trump kishte paralajmëruar para votimit se do të ndërpriste ndihmën financiare për vendet që do të votonin kundër. Në total, 128 vende mbështetën rezolutën, që kundërshton vendimin e Trump-it, por nuk ka fuqi imponuese; 9 votuan pro, 35 abstenuan dhe 21 të tjera nuk votuan. Mes vendeve që mbështetën rezolutën u rendit edhe Shqipëria. Ministria e Jashtme e shpjegoi votën me qëndrimin koherent që shteti shqiptar ka mbajtur në lidhje me konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës.
Duket se kërcënimi i Trump-it ka pasur efekt në numrin e madh të abstenimeve, por edhe në votën kundër rezolutës.
Uashingtoni e gjeti veten të izoluar pas këtij votimi, pasi shumë prej aleatëve të tij perëndimorë dhe arabë votuan pro rezolutës. Disa prej tyre, si Egjipti, Jordania dhe Iraku janë ndër përfituesit kryesorë të ndihmës ushtarake dhe ekonomike të SHBA-ve, por presidenti Trump nuk ka veçuar asnjë emër ndër vendet që nuk i dhanë mbështetje.
Presidenti i Palestinës e quajti votimin “një fitore për Palestinën”, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e hodhi poshtë.
Në fillim të këtij muaji, Trump bëri një kthesë të menjëhershme në politikën e jashtme që është ndjekur dekadat e fundit, duke njoftuar njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, ku SHBA-të do të zhvendosin ambasadën e tyre.
Ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, tha para përfaqësuesve të 193 vendeve se “Amerika do të kujtojë këtë votim kur të na thërrasin sërish për të dhënë kontributin më të madh në OKB. Disa vende vijojnë të na kërkojnë si gjithmonë që të paguajmë akoma më shumë dhe e përdorin influencën tonë për të përfituar vetë”, tha ajo.
Mbrëmjen e së enjtes, Haley i ftoi 64 vendet që mbështetën SHBA-të, ato që abstenuan dhe ato që nuk morën pjesë në votim në një pritje falënderuese, që do të mbahet më 3 janar.
Statusi i Jeruzalemit është një nga pikat e nxehta që pengon bisedimet e paqes mes Iraelit dhe Palestinës. Komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi të gjithë këtë qytet.



