Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, thotë se ndryshe nga sa ka paralajmëruar qeveria, pensionistët nuk do të përfitojnë rritje. Në studion e MCN, ai tha se rritja reale do të jetë jo më shumë se 300 lekë të reja në muaj në vitin 2026. Ndërkohë, ata që marrin pensione të pjesshme do të marrin më pak.
Kemi protestuar për pensioni dinjitoze dhe minimum jetik. Edi Rama nuk ka ku i gjen paratë, ndaj i gënjen pensionistët. Po ju shpjegoj pse është mashtrim rritja që premton ai. Le të marrim buxhetin 2026. Thotë që pensionistët me pensione urbane do të kenë rritje 1800 lekë të reja në muaj dhe ata me të pjesshme me 800 lekë të reja në muaj. Por nga ana tjetër do të heqë bonusin dhe të njëjtën shumë parash do t’ua shpërndajë në 12 muaj. Pra ata do ta marrin bonusin të shpërndarë. Pensionistët do të marrin vetëm 300 lekë të reja mesatarisht më shumë. Do të marrin pak me shumë ata me pensione të plota dhe më pak ata me pensione të pjesshme. Këta kur kishte bonus merrnin 15000 lekë të reja në vit. Tani do të marrin 9600 lekë në vit. Pra më pak në 2026 se në 2025.



