
Qeveria franceze po shqyrton një ligj që synon t’u japë fermerëve të drejtën për të përcaktuar çmimin e produkteve të tyre në treg. Ligji i ri vjen pas shqetësimit se prodhuesit vendas e kanë të vështirë të sigurojnë jetesën, për shkak të presionit për çmime të ulëta.
Stephane Travert, ministri i Agrikulturës, ka propozuar një sërë masash. Ai thotë se me anë të tyre do të rikthejë “çmimet e ndershme”, të cilat janë sabotuar nga lufta për konkurrencë mes supermarketeve.
Ndër masat e propozuara është edhe ndalimi i ofertës “bli një, merr një tjetër falas” dhe lënia në fuqi e “bli dy, merr falas të tretën”. Tjetër masë është kufizimi i uljes proporcionale të çmimit me 25%, detyrimi i dyqaneve ose supermarketeve t’i shesin produktet ushqimore të paktën 10% më shumë se sa i kanë blerë apo krijimi i indeksit të çmimeve, bazuar në kostot e prodhimit plus një marzh fitimi për fermerët apo detyrimi i restoranteve të përdorin të paktën 20% përbërës organikë dhe 50 % përbërës me cilësi më të lartë deri në vitin 2022.



