
Një inspektore e policisë shqiptare ka përfunduar në prangat e policisë italiane, pasi u kap me 76 doza kokainë. Mediat fqinje nuk e kanë bërë publike identitetin e 29-vjeçares.
Sasia e kokainës ishte fshehur në automjetin e të arrestuarës, e cila po udhëtonte së bashku me një tjetër shqiptar. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e polices, autoritetet sekuestruan edhe 1430 euro.
29-vjeçarja ishte pjesë e forcave të rendit të policisë shqiptare dhe kishte me vete edhe kartën e saj të policisë.
Të arrestuarit kaluan natën në dhomat e sigurisë në stacionin e policisë. Gjykata në Milano caktoi “detyrim paraqitje” për inspektoren, ndërsa për shqiptarin tjetër u vendos masa e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Ndërkohë nuk ka vonuar edhe reagimi nga Policia e Shtetit.
Në lidhje me një shtetase të arrestuar me lëndë narkotike nga autoritet policore italiane e cila është prezantuar si punonjëse e Policisë shqiptare sqarojmë opinionin publik se:
Shtetasja e arrestuar F. Z., 29 vjeçe nuk është më pjesë e Policisë së Shtetit që prej vitit 2017.
Ajo ka qenë efektive në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe në vitin 2017 është larguar nga Policia e Shtetit pasi nuk fitoi më të drejtën për tu pajisur me Çertifikatë Sigurie.
Policia e Shtetit ka shkëmbyer informacion në kohë reale me homologët e Karabinierisë në Milano, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Bari për rastin në fjalë.
Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët me qëllim evidentimin dhe goditjen e elementëve kriminal që ushtrojnë veprimtari kriminale.



