
Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri, AMA, përmes një shkrese kërkon që mediat në Shqipëri të raportojnë mbi situatën në Ukrainë, pa marrë si burim mediat ruse.
Në kërkesën dërguar kreut të Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, Tomi Frashëri, kërkohet mbyllja domain-eve të mediave shtetërore ruse “rt.com” dhe “sputniknews.com”. AMA po ashtu kërkon ndalimin e transmetimit të programeve nga paketat e mediave “Russia Today” dhe “Sputnik”, të cilat janë bllokuar në shtetet anëtare të unionit në kuadër të sanksioneve për konfliktin në Ukrainë.
Në shkresë vihet në dukje fakti se vendimarrja vjen si vijim i masave të marra nga institucionet e Bashkimit Evropian në lidhje me agresionin e Rusisë në Ukrainë. Duke argumentuar masat e marra, AMA thotë se merr në konsideratë angazhimet e shtetit shqiptar që synon aderimin në BE.
AMA thekson se qëllimi i masave është “parandalimi dhe bllokimi i propagandës së Rusisë, që për të justifikuar dhe mbështetur agresionin ushtarak kundër Ukrainës është angazhuar në veprime propagandistike të vazhdueshme që synojnë shoqërinë civile në vendet e BE-së dhe vendet fqinje, duke shtrembëruar dhe manipuluar rëndë faktet”.
Në fund të shkresës AMA i kërkon z.Frashëri të ndërmarrë masa për mbylljen e menjëhershme të domaineve me emërtimin “https: /russian.rt.com” dhe “sputniknews.com”.



