
Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) ka nisur procesin e ankimimit të rezultateve të zgjedhjeve në disa qarqe të vendit, duke sfiduar ligjshmërinë e procesit zgjedhor të 11 majit.
Gazetari Mariglen Kume raportoi për “MCN Live” se PD ka përgatitur kërkesa ankimore për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në disa qarqe teksa sipas burimeve, do te shkojnë me ankesa deri në Kolegjin Zgjedhor.
Ankimimet janë bërë për qarqet e Kukësit, Beratit, Korçës, Shkodrës dhe Dibrës, ndërsa sot pritet të depozitohet ankimi edhe për qarkun e Lezhës.
PD i ka materializuar të gjitha ankesat me dokumentacion dhe pretendime për manipulim të rezultatit. Pritet që procesi i ankimimeve, sipas burimeve të mia, të shkojë deri në Kolegjin Zgjedhor.
PD-ASHM ka kundërshtuar edhe miratimin e rezultatit nga KQZ për qarkun e Kukësit, duke pretenduar se janë konstatuar raste të blerjes së votës, tjetërsimit të votave të diasporës dhe manipulimeve në favor të mazhorancës.
Përfaqësuesi i aleancës, Franc Nuri, kërkoi nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) që të shqyrtojë me seriozitet kërkesën për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Kukës, duke theksuar se opozita do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë deri në instancën më të lartë – Kolegjin Zgjedhor.
Burime brenda PD-së konfirmojnë se partia është e vendosur ta ndjekë çështjen “deri në fund”, duke kërkuar pavlefshmërinë dhe përsëritjen e procesit zgjedhor në qarqet ku, sipas tyre, janë konstatuar parregullsi serioze.



