Kryeministri Edi Rama tha se nuk është i shqetësuar nëse dalin emra ministrash apo ish-ministrash në çështjen e inceneratorëve, e cila prej ditësh është kthyer në një nga çështjet më të diskutuara në vend.
Sipas tij, nëse ka njerëz që janë përfshirë në këtë çështje, ata duhet të marrin ndëshkimin e merituar.
“Nuk jam i shqetësuar nëse dalin ministra apo ish-ministra sepse për këtë e kemi bërë reformën në drejtësi. Kur unë e kam thënë se reforma në drejtësi bëhet për një drejtësi të drejtë as të majtë dhe as të djathtë. Përgjegjësia është individuale. Nëse ka njerëz që e kanë ngjyer gishtin në një proces për t’i shërbyer vendit, ata duhet të marrin ndëshkimin e merituar, pasi e kanë bërë pas shpinës së një force qeverisëse që është këtu për shqiptarët dhe jo për xhepat e vetë”, tha Rama për Zërin e Amerikës.



