
Pjetër Rraboshta është fotografi i harruar i Shkodrës për mbi 70 vite. Për herë të parë në muzeun kombëtar të fotografisë Marubi në qytetin e Shkodrës u hap një ekspozitë me mbi 80 foto të Rraboshtës.
Drejtori i këtij muzeu Luçian Bedeni shprehet se është fatkeqësi që për një periudhë kaq të gjatë fotografi Pjetër Rraboshta u la tërësisht në hije.
Kuratori i kësaj ekspozite Zef Paci shprehet se një pjesë e fotografive të Pjetër Rraboshtës janë digjitalizuar në muzeun Marubi dhe një pjesë e tyre janë përzgjedhur në këtë ekspozitë për të treguar shijen e fotografit, jetën sociale të atyre viteve dhe një pjesë të Shkodrës të asaj kohe.
Kjo ekspozitë nuk kërkon të shterojë prurjen interesante që vjen nga një fotograf si Pjetër Rraboshta, por kërkon të japë një fragrancë se çfarë përmbajnë këto imazhe të printuara dhe disa të projektuara, të japë një shije të qëndrimit, botëkuptimit të tij dhe për pasoje, edhe të Shkodrës, të periudhës ku ai veproi si fotograf. Duke respektuar estetikën e hapësirës, për të mos e shfuqizuar duke e shumëfishuar imazhin, mbeta këtu.
Djali i fotografit Pjetër Rraboshta, Kolë Rraboshta thotë se babai i tij kishte fatin të punonte me Kel Marubin por edhe të fotografonte festat, krezmime, martesa dhe objekte të ndryshme në familjet shkodrane.
Pjetër Rraboshta u lind në Shkodër në vitin 1917, Deri në vitet 1940, punon te Marubi bashkë me të birin e Kelit, Gegën. Në fillim të viteve '40, hap studion e tij “Foto Rraboshta” ndërsa fotografon jetën sociale dhe çdo rast të familjeve shkodrane.
Rreth vitit 1963, hyn në repartin e fotografëve pranë Kooperativës Shtetërore të Artizanatit dhe nuk del më për të fotografuar për shkak të problemeve shëndetësore. Në vitin 1970 i dorëzon shtetit arkivin e vet fotografik prej 16169 pozash.
Ky arkiv, i pashoqëruar nga diçiturat përkatëse mbështetet në fuqinë që ka si imazh. Pjetër Rraboshta vdiq në Shkodër në vitin 1987 në moshën 70-vjeçare por duke lënë pas një pasuri të madhe sa i përket fotografisë.



