Komisioni Hetimor për Inceneratorët, ka vijuar sot nën drejtimin e Jorida Tabakut, të marrë dëshmi nga administratorët e kompanive që kanë ndërtuar impiantin e përpunimit të mbetjeve në Elbasan.
Dëshmitarët e parë të pyetur në Komisionin Hetimor, janë Administratori i shoqërisë "Intergrated Technology Servis" shpk Faraudin Arapi dhe Administratori i Shoqërisë "Albtek Energy" shpk Arjan Baci.
Dëshmitarët janë caktuar të dëshmojnë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pas shpalljes në kërkim të pronarëve të shoqërive Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.
Dëshmitarët deklaruan se nuk e njohin Stela Gugalljan.
Dëshmitari Arjan Baçi theksoi se inceneratori i Elbasanit ishte funksional dhe prodhonte energji elektrike por pyetjes se kryetares së Komisionit Hetimor se nga të dhënat e ERE shoqëria Albtek Energy nuk njihet si prodhues energjie, si ka prodhuar energji kur nuk njihet nga ERE si prodhues, dëshmitari Arjan Baci u përgjigj se nuk ka patur arkëtime nga shitjet e energjisë.
Jorida Tabaku theksoi se kompania ka marrë kredi me garanci sovrane gjatë pandemisë për të paguar paga.
Gjatë diskutimeve në komision Tabaku iu drejtua Arjan Baçit, “ju po thoni që në momentin që e morën në administrim, kishin bosh bankat, zbrazën llogaritë bankare dhe ikën”.
Ndërkaq dëshmitari iu përgjigj: “Kur mora në dorëzim, të ardhurat janë diku tek 5000 euro maksimumi”.



