
Rreth 1.4 milionë fëmijë janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, që do të thotë se gati një fëmijë në sekondë kthehet në refugjat.
Kështu deklaroi James Elder, zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijë, Unicef.
"Mesatarisht, çdo ditë për 20 ditët e fundit në Ukrainë, më shumë se 70 000 fëmijë janë bërë refugjatë," tha Elder, që barazohet me rreth 55 çdo minutë, "pra pothuajse një në sekondë," tha ai.
Numri i ukrainasve që janë larguar nga vendi vazhdon të rritet dhe sipas OKB arrin shifrën e 3 milionëve.
Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, që nga 24 shkurti, data e agresionit rus, gjithsej 2 952 026 refugjatë kanë kaluar kufirin ukrainas për të kërkuar strehim jashtë vendit. Të dhënat, të përditësuara më 14 mars dhe të raportuara në një faqe specifike të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR), tregojnë se shumica dërrmuese e njerëzve që ikin kanë mbërritur në Poloni (pothuajse 1.8 milionë refugjatë), e ndjekur nga Rumania (mbi 422 000) dhe Moldavia (pothuajse 340 000).



