Presidenti filipinas, Rodrigo Duterte bëri një paralelizëm midis luftës së tij të përgjakshme kundër kriminalitetit dhe shfarosjes së hebrenjve nga Adolf Hitler, duke pohuar se do të ishte “i lumtur të masakronte” miliona të droguar.
Avokati populist 71 vjeçar, i njohur për një fjalor mjaft të rëndomtë i cilësoi “hipokritë” Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që e kanë kritikuar fushatën e tij të dhunshme kundër trafikut të drogës.
“Hitleri masakroi tre milionë hebrenj. Numërohen tre milionë të droguar në Filipine. Do të doja t’i shfarosja”, u shpreh ai gjatë një fjalimi dhënë mëngjesin e sotëm, duke pohuar një shifër të rremë mbi numrin e hebrenjve të vrarë nga nazistët, që shkon deri në 6 milionë.
Duterte fitoi zgjedhjet presidenciale në maj mbi një program mjaft të rreptë në planin e sigurisë, i cili premtoi se do të vrasë mijëra kriminelë për të përfunduar me trafikun e drogës, një plagë e rëndë e shoqërisë në arkipelag.



