Ajo çfarë u paralajmërua pak javë më parë nga kryeministri Rama për zgjerimin e hapësirave publike në plazhe dhe kufizimin e operatorëve privatë për të vendosur çadra pritet të marrë miratimin javën që vjen nga qeveria.
Në një takim me operatorë turistikë, ministrja Mirela Kumbaro foli për një dimension të ri estetik që u shoqërua me jo pak debate edhe në qeveri, ku duket se në fund fitoi vizioni i kryeministrit.
Sipas rregullores së re, hotelet do të jenë të vetmet që do të kenë mundësi për të aplikuar për stacione plazhi në proporcion të drejtë me numrat e dhomave.
Kemi nisur projektin e sistemimit dhe rikualifikimit të dimensionimit estetik të hapësirave publike. Do të bëhet në të gjithë bregdetin. Hapësirat do të jenë të lira, pa pushtim çadrash e shezlonë dhe pa baraka që bëjnë biznes shezlonës. Pas shumë diskutimeve dhe debate edhe brenda qeverisë dhe me kolegë, modeli i ri i menaxhimit të plazheve do të bazohet në parimin kryesor se shezlongët në vetvete nuk mund të jenë parimi parësor i biznesit, por duhen trajtuar si një aksesor shtesë i hoteleve apo i strukturave akomoduese. Në çdo një kilometër plazh do të kemi 300 metra plazh publik, kjo është një sfidë shumë e madhe për ne për bashkitë.
Ndërsa ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Blendi Goxhe, vërejti se turizmi na jep mundësinë që konsumi i rritur brenda kufijve të vendit tonë të shërbejë edhe si garanci për një treg të mjaftueshëm të madh, që më në fund të zhvillohet edhe industria jonë e lehtë.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, nga ana tjetër bëri me dije një projekt novator turistik, që do të zbatohet në Bulqizë, një zonë e cila njihet për pasuritë e saj minerare. Projekti do të rivitalizojë dhe sjellë në dimension tjetër një aset të vjetër të ushtrisë shqiptare, të quajtur Divizioni.
Strategjia e re turistike e prezantuar nga ministrja Kumbaro, parashikon përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike, si dhe e ndan vendin në 6 rajone turistike.



