Në zgjedhjet e sotme, ku anëtarët e Partisë Demokratike zgjedhin për kryetarin mes Lulzim Bashës i cili kërkon të rimarrë drejtimin e partisë dhe kandidatit Gjergj Hani, pjesëmarrja paraqitet e ulët. Gazetarja e MCN, Greta Bullari raporton nga një nga gjashtë qendrat e votmit në Tiranë, dhe flet për numër të ulët të pjesëmarrjes në votime, ndonëse thotë se nuk ka ende një shifër zyrtare të anëtarëve që kanë votuar deri më tani, nga 25 mijë anëtarë me të drejtë vote në total në rang vendi. Ndërkohë në orën 13.30 do të jetë përfaqësuesi ligjor i PD, Indrit Sefa, ai që do japë raportim të shifrave të votimit në këto momente. Paraprakisht mësohet se në rang vendi deri në orën 11.30 kanë marrë pjesë në votime 7251 anëtarë të PD. Ndërsa në qendrën e votimit pranë degës nr.8 të PD, ku votoi Lulzim Basha nga 500 anëtarë që kanë të drejtë vote, deri në orën 11.00, kanë votuar 130 prej tyre. Gazetarja Ervina Garo raporton nga Durrësi nga qendra e votimit, deri në orën 13.00, kanë votuar 33% pjesëmarrës nga 800 votues në total. Nga Shkodra, gazetarja Bendis Druni raportoi përkrah kreut të PD-së së degës, Xhevdet Amuli, i cili foli për proces të qetë. “Pjesëmarrja ka qenë tej parashikimeve, deri më tani kanë votuar rreth 40% e anëtarëve të PD, që janë konfirmuar në dy muajt e fundit, nga 1200 anëtarë”. Nga Korça, gazetarja Sara Kovaçi tha se nga 500 anëtarë të konfirmuar për të drejtë vote, deri më tani kanë votuar vetëm 30 prej tyre. Gazetari Enes Molla nga Elbasani raportoi se deri më tani kanë votuar 250 anëtarë. Nga mbi 2000 anëtarë që kanë qenë me drejtë vote në zgjedhjet e 2021 në këtë parti, aktualisht numri i anëtarëve është reduktuar në 600. Nga Gjirokastra gazetarja Jonida Qirko, foli për një pjesëmarrje të konsiderueshme, me 50% deri në orën 13.00 në rang qarku, ku nënvizoi se në qytetin e Gjirokastrës pjesëmarrja ka qenë më e lartë rreth 60%, ndërkohë që në rang qarku kanë të drejtë vote 1184 anëtarë. Gazetari Edi Ruçi nga Vlora, nga Pallati i Kulturës “Labëria” ku po mbahet procesi i votimit konfirmoi se janë 1612 persona me të drejtë vote dhe se deri tani janë 170 persona që kanë votuar.



