
"Në Shqipëri të bëhet një qendër koordinimi për të gjithë luftëtarët që kthehen nga ISIS në territorin e Ballkanit. Propozova që çdonjëri prej shteteve që merr pjesë, të dërgojmë një oficer për ndërlidhje që të krijojmë një shtab më të organizuar për luftën e përbashkët", deklaroi Borisov.
Kjo deklaratë e kryeministrit bullgar, Boyko Borisov, ndezi debatin politik në Shqipëri, nëse duhet që të ndërtohet një kamp për trajtimin e ish-luftëtarëve të ISIS-it në vendin tonë. Kësaj deklarate iu bashkuan edhe disa artikuj nga mediat e huaja, që intriguan edhe opozitën. Në mbledhjen e grupit parlamentar të kësaj jave, Partia Demokratike e pati pjesë të diskutimeve këtë temë. Fill pas mbledhjes me Lulzim Bashën, deputetët e Komisionit të Ligjeve, Enkeled Alibeaj dhe Oerd Bylykbashi, u shprehën se një gjë e tillë do të riorganizonte organizatat kriminale të trafikimit njerëzor në Shqipëri.
"Tema TV" u interesua për të marrë një qëndrim zyrtar të shtetit shqiptar për këtë temë të nxehtë dhe mori përgjigje nga këshilltari për sigurinë në Kryeministri, Sandër Lleshi. Ky i fundit mohoi çdo mundësi që në Shqipëri të hapet një qendër për trajtimin e ish-luftëtarëve të ISIS-it. Madje, ai ka sqaruar se çfarë është keqkuptuar në deklaratën e kryeministrit Bullgar Bojko Borisov gjatë vizitës së tij në Shqipëri
Ndërkohë, ajo që evidentohet këtë fillim vere është se ka një numër në rritje të refugjatëve sirianë që vijnë nga kampet e pritjes në Greqi, në Shqipëri dhe nëpërmjet Shqipërisë kërkojnë që të shkojnë në destinacionet e tyre finale në Perëndim.
Një vit më parë, sipas medieve ndërkombëtare, rruga e preferuar e emigrantëve ishte nga Greqia në Maqedoni, më pas në Serbi dhe në vendet e BE-së. Ndërsa këtë vit ata kanë ndryshuar rrugë, ata e shikojnë si një urë Shqipërinë për të shkuar drejt vendeve të Evropës. Nga kampet e refugjatëve në Greqi, ata hyjnë në Shqipëri nga kufiri i gjelbër në Kapshticë dhe në Kakavijë, më pas shkojnë drejt Malit të Zi dhe nga aty në Kroaci. Por deri tani mund të themi se të paktë kanë qenë ata të cilët e kanë përfunduar udhëtimin e tyre, pasi policia shqiptare u ka ndërprerë ëndrrën. Për rastet e kapura të refugjatëve flasin edhe banorët e fshatit Terstenik, fshati i parë në kufi me Greqinë.
Pasi intervistohen në policinë kufitare, si në Kapshticë, ashtu edhe në Kakavijë; refugjatët, të cilët nuk aplikojnë për azil në Shqipëri, rikthehen nga vendi ku kanë ardhur. Ndërsa nëse aplikojnë për azil në vendin tonë, ata dërgohen në dy qendrat, në Babrru dhe në Karreç. Këshilltari i kryeministrit, Sandër Lleshi, jep detaje për kapacitetet që kanë këto qendra pritëse.
"Tema TV" shkoi në njërën nga qendrat e trajtimit të azilantëve. Ne pyetëm disa nga tyre. Nga të gjithë ata që pyetëm vërehej se të gjithë ishin rishtas në Shqipëri dhe shumica e tyre nuk donin të qëndronin këtu, por që të shkonin drejt Evropës.
"Vij nga Siria dhe para se të vija këtu, isha në Greqi. Kam tre ditë që jam në Shqipëri. Nuk dua që të qëndroj këtu por dua të shkoj në Spanjë, sepse atje kam familjen time: gruan bashkë me vajzën. Policia shqiptare na ka trajtuar shumë mirë edhe kushtet në kamp, ku jam aktualisht, janë të mira.
Quhem Muhamed dhe vij nga Siria. Kam 10 ditë që ndodhem në Shqipëri. Dua që të qëndroj këtu dhe më pëlqejnë njerëzit shqiptarë. Jam larguar nga Siria sepse atje kemi shumë kushte të këqija. Kam shpëtuar nga një shpërthim me bombë. Para se të vija në Shqipëri, isha në Turqi dhe në Greqi, por në asnjë nga këto vende nuk më kanë trajtuar si në Shqipëri.
Jemi nga Pakistani, para se të vinim në Shqipëri kemi qenë në Greqi dhe tani nuk duam të qëndrojmë në Shqipëri, por duam që të ikim në Itali. Shqipëria nuk është në gjendje të mirë ekonomike dhe prandaj nuk duam të qëndrojmë këtu, sepse nuk ka punë.
Jemi në grup të tre dhe kam 4 ditë që jemi këtu në Shqipëri. Më parë ishim në Greqi. Ne nuk do të qëndrojmë këtu në Shqipëri. Nuk e di se ku do të shkojmë ekzaktësisht, por nuk dua të qëndroj këtu sepse këtu nuk ka kushte të mira. Nuk ka ushqim dhe nuk ka qumësht për fëmijët.
Të njëjtën histori kam edhe unë, as unë nuk dua të qëndroj përfundimisht në Shqipëri sepse nuk ka kushte. Unë për më tepër dua që të mjekoj edhe krahun, pasi siç e shikoni kur isha në burg në Siri më ka marrë infeksion.
Ndërsa unë më parë isha në Gjermani, në Berlin, pastaj u ktheva në Siri për të marrë familjen time, gruan bashkë me një fëmijë. Nuk mendoj se do të qëndroj në Shqipëri. Këtu njerëzit janë të mirë, kujdestarët këtu në kamp na trajtojnë shumë mirë, por problemi është se këtu ka probleme ekonomike", deklarojnë disa emigrantë.
Ndërkohë, qytetarët shqiptarë shprehen indiferentë ndaj këtij fenomeni.
E ndërsa në Shqipëri numri i refugjatëve që vijnë nga kampet e Greqisë është në rritje, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, në një intervistë për televizionin shtetëror e la të hapur mundësinë e ngritjes së kampit të pritjes së refugjatëve në një nga vendet jashtë Ballkanit. Por ai u rezervua të jepte detaje, pasi tha se druhej që kjo do të ishte në disfavor të projektit.
Një mundësi të tillë për refugjatët dhe jo për ish-luftëtarët e ISIS-it e la të hapur edhe këshilltari i kryeministrit Rama, Sandër Lleshi. Në intervistën e dhënë për Tema Tv, Lleshi tha se Shqipëria ka një plan kontingjent nëse përballet me një fluks të emigrantëve sirianë, por ai nuk dha detaje për këtë.
Në lidhje me këtë temë të nxehtë, presidenti Ilir Meta sugjeroi që të mos merret asnjë vendim pa u konsultuar me Parlamentin. Disa nga analistët politikë në Shqipëri, mundësinë e ngritjes një qendre për pritjen e refugjatëve sirianë e shohin si kusht i BE-së për çeljen e negociatave.



