Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot finalizimin e projektligjit për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.
Përmes një videomesazhi, kryeministri bëri të ditur se Banka Shqiptare e Zhvillimit do të krijohet falë bashkëpunimit me prestigjiozen e Italisë “Cassa Depositi e Prestiti”, institucion financiar që bën pjesë në gjerdanin e ekselencave italiane.
Sapo kemi mbaruar një mbledhje për finalizimin e projektligjit mbi Bankën Shqiptare të Zhvillimit, falë bashkëpunimit me prestigjiozen e Italisë ‘Cassa Depositi e Prestiti’, institucion financiar që bën pjesë në gjerdanin e ekselencave italiane, jemi gati t’ja shtojmë Shqipërisë këtë motor zhvillimi në këtë stad të ri të vendit.
Sipas kryeministrit, projekti është absolutisht bindës dhe do të hidhet së shpejti për konsultim publik.
Rama theksoi se Banka do të menaxhohet nga një super skuadër shqiptaro-italiane dhe do të asistohet nga afër nga partnerët e “Cassa Depositi e Prestiti” për të garantuar një qeverisje të pavarur, profesionale dhe të suksesshme të saj.
Poashtu Rama ka bërë publike edhe miratimin e një linje të re financimi nga Banka e Shqipërisë, me theks të veçantë për bujqësinë, në vlerë 250 milionë €.
E dyta, Banka e Shqipërisë sapo ka miratuar një linjë të re financimi për ndërmarrjet e vogël, me në fokus bujqësinë, 250 milion euro.
E kemi diskutuar ta mbështesim nga qeveria këtë linjë financimi edhe me një garanci sovrane. Ky është volumi më i madh i vënë ndonjëherë me kredi të buta të agropërpunimit, të serave, agroturizmit, teknologjisë dhe më radhe. Së shpejti për detajet.



