
Politologu Ilir Kalemaj u shpreh i bindur se Presidenti i ri Bajram Begaj do të shërbejë si një noter i qeverisë, në shumicën e akteve të saj. Duke folur në MCN Live Kalemaj tha se Begaj i shërben Ramës më shumë se sa do t’i shërbente një figurë socialiste.
Në politikë sikundër në ushtri duhet të kesh strategji, taktikë dhe fushë veprimi operacionale, besoj që Rama i ka pasur të treja këto. Rama ka pasur një strategji veprimi, ka luajtur me tezat që do jetë femër, një kandidate e ardhur nga e djathta. Synonte që me këtë lëvizje të siguronte mbështetje nga ndërkombëtarët, s’do kishte kundërshtim të opozitës dhe efektin e surprizës. Meçollari ka paraqitur fakte, prova, që i ka çuar në SPAK. Kjo e bën të diskutueshëm minimalisht këtë President. Nuk bie dakord që këtu Presidenti është i rëndësishëm. E para jemi Republikë Parlamentare, në 2008 Presidenti u zhvesh nga çdo fuqi. Fakti që Presidenti ri tha që fjala s’është arma ime e fortë, vihet në pikëpyetje çfarë do paqtojë ai në polarizmin politik. I shërben z.Rama më shumë se sa një figurë socialiste. Nëse do ishte një figurë socialiste dhe do ta kundërshtonte, do ta kishte më të vështirë që do ta gëlltiste. Jam i bindur që do shërbejë si noter i qeverisë, në shumicën e akteve të saj. Barra e provës dhe përgjegjësisë i mbeten Presidentit të ri, gjuha e trupit dhe deklaratat e para, ndoshta edhe emocionale, nuk na bëjnë shumë optimist”.
Sipas Kalemajt një nga detyrat që i mbetet Presidentit të ri është që të kufizojë pushtetin e ekzekutivit, ku sipas tij Rama ka aktualisht pushtet absolut.
Përtej detyrave kushtetuese të Presidentit, Presidenti ka pak në dorë aktualisht. Ajo që i ngelet të ketë në dorë janë marrëdhëniet që do krijojë e para për të kufizuar pushtetin e ekzekutivit, ku kryeministri ka pushtet absolut, për të pasur një marrëdhënie luajale me ish-Presidentin Meta që pritet të kthehet në opozitë, dhe opozitën anarkike, ku ka disa grupe, grupi i Berishës, grupi i Alibeajt që vjen duke u ngushtuar nga pikëpamja numerike, është një grup i tretë laraman si çifti politik Duma-Salianji, që ka qëndrime që ndryshojnë nga dita në ditë. Do arrije Presidenti i ri ta afrojë këtë opozitë institucionalisht?!”



