
Partia Demokratike ka hyrë në një fazë të re të procesit të saj të brendshëm zgjedhor, pasi më 30 prill përfundoi afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e kryetarit të forcës më të madhe opozitare në vend.
Analisti Preç Zogaj, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, i cilësoi këto zgjedhje si një farsë dhe një proces të rremë.
Nuk ke ç’të mendosh këtu. Është e gjitha një farsë.
Janë demek zgjedhje sa për t’i hequr, për të bërë adetin. Nuk jam i befasuar.
Berisha e mori partinë kur nuk e kishte, për t’u mbrojtur, do të ishte naive ta lëshonte tani që e ka, kur përsëri i duhet për t’u mbrojtur nga drejtësia dhe efektet e sanksionimit. Nuk ka ndryshuar asgjë.
Gjithë programi i Rithemelimit me shpalljet e bukura, që kryetari që humbet zgjedhjet dorëhiqet, që partia do të hapet, legalizon diversitetin e mendimeve, garën e lirë, të gjithë këto kanë qenë dhe e kam ditur që ishin parrulla për të marrë votat dhe partinë.
Nuk është më problemi i Berishës, por i atyre që kanë brohoritur për këto shpallje në stadium. Sidomos neni i dorëheqjes është brohoritur fort. Por kështu do të ndodhte.
Është skemë zvogëlimi. Është në rutinë të plotë ky kandidim, apo refuzimi i garës në PD. Kemi rënë në rutinën e komenteve. të gjithë janë të bezdisur.
Por, është një skemë zvogëlimi, që e zvogëlon PD-në, të ndalosh garën. Garat e hapura e energjizojnë një parti, anëtarësinë dhe njerëzit që e ndjekin nga jashtë këtë spektakël.



