
Francesco Battistini
Djemtë e vitit ‘99 mund të qetësohen. Lufta e Kosovës ka mbaruar para 20 vjetësh, periudha e pasluftës jo, dhe nga e diela gjërat janë të qarta: vendi më i vogël dhe më i varfër i Ballkanit, i vetmi ndër vendet e ish-Jugosllavisë, shtetasit e të cilit nuk mund të udhëtojnë akoma në Evropë pa vizë, ndërsa veteranët e përjetshëm në fuqi i kanë xhepat plot. Mjaft me PDK-në e Presidentit Hashim Thaçi, tani drejt fundit të mandatit të tij: "Gjarpri", i ka shpëtuar disa herë arrestimit nga Tribunali i Hagës, pastaj i rilindur nga e njëjta UÇK që në vitin 1999 bindi NATO-n për të bombarduar Serbinë, është padroni absolut i administratës dhe biznesit. Kryeministri Ramush Haradinaj – “Rambo”, i cili përfundoi në Hagë për krime lufte, gjithashtu largohet mes polemikash.
Le të jemi të qartë: vota politike ka nxjerrë në pension guerilasit e vjetër jo për ato që bënë atëherë, por për ato që nuk bënë më vonë. Njëmbëdhjetë vjet pavarësi nuk i kanë dhënë Kosovës njohjen e Kinës ose Rusisë, madje as Spanjës apo Greqisë, as anëtarësimin në OKB ose në Interpol. Korrupsioni dhe papunësia lënë vetëm një rrugë: emigracionin. Dhe kështu, pushtetarët e rinj kanë fytyrën e liberales 37-vjeçare, Vjosa Osmani, dhe mbi të gjitha atë të Che Guevarës së Prishtinës, Albin Kurti, 44 vjeç, dikur lider i studentëve, organizator i sulmeve me gaz lotsjellës në Parlament, një nga politikanët e paktë që nuk është hetuar asnjëherë.
Dy fituesit nuk e duan njëri-tjetrin: ajo ka studiuar në ShBA, ai ëndërron për Shqipërinë e Madhe. Të dy dëshirojnë të mbyllin negociatat e lodhshme me Beogradin, duke anuluar taksën 100% mbi mallrat serbe, por duke shmangur shkëmbimin "poshtërues" të territoreve, një propozim nga Thaçi.
"Do të jemi të drejtë" është motoja e tyre: "As të fortë dhe as të dobët". Jo domosdoshmërisht e mjaftueshme, por aktualisht është diçka. / Corriere della Sera /



