
Një 40-vjeçar u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes në lagjen "Erdogan" në Laç, pasi u qëllua me breshëri plumbash teksa po hynte në pallatin ku banonte.
Korrespondenti i MCN Live, Juli Simoni, raportoi se viktima, Ilir Gjini, rezultonte i njohur edhe me tre mbiemra të tjerë Kokaj, Lika dhe Nure ndërsa kishte precedentë penalë.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, 40-vjeçari ishte parkuar automjetin dhe po i drejtohej hyrjes së pallatit, kur autori i dyshuar hapi zjarr ndaj tij.
Edhe pse tentoi të largohej, Gjini u ndoq dhe u qëllua sërish pranë hyrjes së godinës. Ai mori shtatë plumba, duke humbur jetën në vend.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes dhe e ka shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për Emiljano Soti, i njohur edhe me identitetin Artur Suti, i cili rezulton me precedentë penalë.
Sipas burimeve policore, Emiljano (Artur) Suti është dënuar më parë me pesë vite burg për veprën penale "kanosje për shkak të detyrës", si dhe ka precedent për armëmbajtje pa leje. Ai rezulton gjithashtu të jetë arrestuar në Belgjikë për vjedhje, ndërsa në vitin 2011 i ka shpëtuar një atentati pranë Komisariatit të Policisë së Kurbinit.
Hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë dhe dokumentimin e motiveve të atentatit.
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me të kaluarën kriminale të viktimës dhe aktivitetin e saj jashtë vendit.



