Këtë të premte Serbia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Beograd për shkak të përhapjes me shpejtësi të koronavirusit në ditët e fundit. Si rrjedhojë vetë presidenti i Serbisë Aleksandër Vucic, në deklaratën e tij tha se ‘këto masa janë rikthyer me qëllimin për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19’.
Qeveria njoftoi se përdorimi i maskave do të jetë i detyrueshëm në ambiente e brendshme dhe transportin public, kështu që kushdo që e shkel këtë rregull do të gjobitet. Pas orës 23:00 dhe deri në 06:00 të mëngjesit me rregullat e reja do të qëndrojnë të mbyllura klubet e natës dhe bar-kafetë, ndërsa tubimet do të kufizohen në 100 persona brenda dhe në 500 jashtë.
Masat, referuar një deklarate të bashkisë së Beogradit, do të hyjnë në fuqi menjëherë.
Serbi dhe Beogradi erdhën deri në këtë pikë për shkak se vetëm të enjten u raportuan 359 raste të reja me koronavirus, ndër të cilat 80 përqind e tyre kanë qenë vetëm në Beograd dhe rrethinat e tij. Në total, Serbia ka konfirmuar mbi 15,000 raste me koronavirus dhe 287 viktima.
Për shkak të rritjes së numrit të rasteve të reja në ditët e fundit, edhe disa qytete të Serbisë, përfshirë: Novi Pazarin, Tutinin, Kragujevcin dhe Vranjën, kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Gjithsesi Serbia është nga ata shtete të Ballkanit Perëndimor që pavarësisht kësaj situate i janë hapur kufijte me BE-në, ndryshe nga Shqipëria.



