Pedagogia e ekonomisë Valbona Sakollari dhe kryetari i Shoqatës së Transportit Urban, Dashnor Memaj, kanë folur në emisionin “MCN Economy” për rritjen e menjëhershme të çmimit të naftës në Shqipëri, vetëm dy javë pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme.
Të ftuarit theksuan se rritja e çmimit reflektohet menjëherë në treg, ndërsa ulja pothuajse asnjëherë.
Pedagogia e ekonomisë, Valbona Sakollari, e cilësoi situatën një fenomen të përsëritur në tregun shqiptar, ku sipas saj abuzimi me çmimet është kthyer në një praktikë të zakonshme.
Është realitet sepse efekti i menjëhershëm i çmimit të naftës nuk besoj se ka pasur direkt impakt. Siç ndodh rëndom në Shqipëri, nuk reflektohet fare ulja e çmimit. Është spekulim i tregtarëve të karburanteve dhe normalisht duhet të ketë një rregullator që e mban në ekuilibër për të mos reflektuar menjëherë këtë rritje jo reale.
Ajo shtoi se në momentet e krizave të mëdha globale, luhatjet e çmimeve kanë tendencë rritëse, ndërsa uljet shpesh lidhen me politika ndërkombëtare dhe nuk reflektohen në tregun shqiptar.
Sa i përket çmimeve në Shqipëri, është bërë praktikë që në momentin që rriten nuk reflektojnë uljen. Edhe transporti publik, nuk besoj se po të ulet çmimi i naftës reflektohet duke ulur biletën. Transporti publik si shërbim duhet të ketë një suport nga institucionet dhe çmimet duhet të jenë të fiksuara përmes një kontrate mes institucionit publik dhe operatorëve.
Sakollari theksoi gjithashtu se një pjesë e madhe e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksat.
Në çmimin e naftës në Shqipëri kemi një sërë taksash ku rreth 60% e çmimit është taksë. Mund të kishte një lehtësim fiskal, të paktën në momentet e krizës. Për shembull, TVSH-ja e grumbulluar nga rritja e çmimit mund të përdoret për të ulur akcizën. Edhe gjatë luftës në Ukrainë u përballëm me rritje çmimesh, por nuk u morën masa të tilla.
Sipas saj, rritja aktuale e çmimit të naftës është më shumë një rritje afatshkurtër, ndërsa efektet afatgjata pritet të reflektohen më vonë në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Rritja e çmimit të naftës është aktualisht një rritje afatshkurtër, sepse ndikimi afatgjatë do të reflektohet më vonë në të gjithë sektorët e zinxhirit ekonomik.
Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Transportit Urban, Dashnor Memaj, tha se operatorët e karburanteve janë mësuar ta rrisin çmimin menjëherë, ndërsa ulja vonon për arsye përfitimi.
Operatorët që merren me hidrokarburet janë mësuar që rritjen ta bëjnë të menjëhershme dhe uljen jo, për arsye përfitimi. Kur efekti i rritjes është i menjëhershëm, edhe ai i uljes duhet të jetë i tillë. Nëse sot ulet çmimi në bursë, duhet të përkthehet edhe në tregun e lirë.
Sipas tij, transporti publik ndikohet drejtpërdrejt nga çdo ndryshim i çmimit të karburantit, pasi biletat kanë një çmim të paracaktuar.
Transporti publik ka një çmim të paracaktuar. Çdo 1 lekë që lëviz ndikon drejtpërdrejt te kompania dhe ne e ndjemë menjëherë rritjen e karburantit. Për këtë arsye kemi nisur një kërkesë që institucionet të marrin masa, sepse ka edhe taksa që i konsiderojmë të padrejta, si ajo e qarkullimit.
Memaj bëri të ditur se Shoqata e Transportit Urban i ka dërguar një kërkesë bashkive që ofrojnë shërbimin urban, si dhe institucioneve të tjera shtetërore, për të ndërmarrë masa urgjente.
Të gjitha bashkive që ofrojnë shërbimin urban u kemi dërguar kërkesë që të merren vendime urgjente, kur sot kemi rreth 200 lekë të reja për litër nafte. Kemi kërkuar të bëhet një analizë financiare dhe një takim për të diskutuar kostot reale, por ende nuk kemi marrë përgjigje.
Ai theksoi se një rritje prej 30% e çmimit të karburantit do të thotë edhe rritje të drejtpërdrejtë të kostove për operatorët e transportit publik.
Kemi shumë taksa mbi karburantin, por më të ndjeshmet janë taksa e qarkullimit dhe TVSH-ja. Përtej taksave të naftës, ne paguajmë TVSH në shtet edhe për biletat. Pavarësisht kostove, ulja e çmimit të naftës nuk merret parasysh dhe duhet shumë kohë që tregu të kthehet në normalitet.



