Ka nisur shqyrtimi gjyqësor për dosjen “184” në Gjykatën e Dibrës, në focus të së cilës është shit-blerja e votës. Më 18 dhjetor, prokuroria përfundoi hetimet dhe e dërgoi dosjen në gjykatë me vetëm 4 ish-zyrtarë të pandehur.
Protangonistët e këtij skandali të publikuar fillimisht në VOA dhe më pas me audio-përgjime në gazetën gjermane “Bild”, i shpëtuan akuzave. Prokuroria vendosi pushim të çështjes për personat nën hetim Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, Afrim Mikli.
Për ta është konstatuar se kanë kryer veprën penale të shit-blerjes së votës, por për shkak të tejkalimit të afatit 3-vjeçar vepra penale është parashkruar, ndaj s’mund të merren në përgjegjësi penale.
Të pandehur në gjykatë përfunduan dhe po gjykohen Robert Aga, ish-shefi i komisariati në Dibër, Drini Gjeci, ish-drejtor i Arsimit, Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrative Tomin dhe Hasan Hoti, njësia administrative Lurë. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “kanosje të zgjedhësve”.
Ndërkohë, një prej personave që prokuroria ka kërkuar të merret i pandehur për dosjen 184, Nuri Meda, është shprehur se akuza e ngritur ndaj tij është e pavërtetë.
“Jam këtu, më kanë thirrur si të dyshuar për ‘shpërdorim detyre’. Kam qenë administratori i Njësisë Administrative Tomin. Unë nuk kam lidhje me asgjë. Nuk kam parë asnjë atje as për të majtë dhe të djathtë pasi kalamajtë nuk e dinë se më kë është baba. Të shikoj se çdo më thonë. Më akuzojnë se kam hequr asistencat. Nuk heq asistencat unë. Ka një specialist atje. Unë vetëm kam qenë administrator, kam qenë politikisht, nuk ka shans që për arsye partiake të vendos unë për ndihmën ekonomike”, është shprehur i pandehuri në këtë proces.



