
Kryeministri i Sudanit Abdalla Hamdok ka dhënë dorëheqje nga detyra pas protestave masive, të cilat e kanë shtyrë shtetin drejt një paqartësie politike.
Hamdok ka thënë se shteti është “në një pikë kthese të rrezikshme që kërcënon gjithë mbijetesën”.
Sipas tij dorëheqja do t’i mundësojë dikujt tjetër që ta drejtojë Sudanin dhe të përfundojë tranzicionin në “demokraci civile”, por nuk ka përmendur emra se kush mund ta zëvendësojë.
Mijëra persona janë parë nëpër rrugët e kryeqytetit Kartum dhe qytetit Omdurman, duke i bërë thirrje ushtrisë që të largohet nga politika dhe që të ketë kthim në rregullin civil.
Më shumë se 50 persona janë vrarë nëpër protesta, prej kur ushtria ka marrë pushtetin në muajin tetor.



