Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka komentuar në studion e MCN TV projektrezolutën e miratuar sot në Kuvend nga mazhoranca me 72 vota pro, ndërsa opozita e bojkotoi. Rezoluta shpall Iranin si shtet sponsor të terrorizmit.
Gjatë intervistës, Shehu u shpreh kritik ndaj mënyrës së hartimit dhe miratimit të dokumentit, duke theksuar mungesën e konsultimit me opozitën dhe nxitimin e procedurave.
Është e çuditshme kjo mënyrë veprimi e mazhorancës, e cila përgatiti një draft-rezolutë pa u konsultuar me opozitën, e kaloi pa diskutim në Komisionin e Jashtëm dhe e solli me një nxitim që krijon dyshime. Për mua, kjo është një rezolutë gjysmake që nuk përmbush elementët kryesorë që duhet të kishte.
Sipas Shehut, dokumenti ka mangësi serioze në përmbajtje dhe në mesazhin politik që përcjell. Ai theksoi se mungon një qëndrim i qartë në mbështetje të aleatëve strategjikë dhe një dënim i fortë ndaj veprimeve të Iranit në rajon.
Gjërat duhet të thuhen qartësisht. Irani u shpall shtet që sponsorizon terrorizmin dhe jo shtet terrorist. Mungon një prononcim i qartë që ne jemi në krah të aleatëve tanë dhe kundër terrorizmit.
Ai shtoi gjithashtu se në rezolutë nuk trajtohet një nga shqetësimet kryesore globale, siç është rreziku nga armët bërthamore të Iranit.
Mungon përcaktimi i rrezikut që mund të kishte për botën nëse Irani disponon armë bërthamore, si dhe dënimi i sulmeve që po kryen ndaj vendeve të rajonit. Prandaj, për mua kjo mbetet një rezolutë e çalë.



