"Ajsberg" në MCN TV i ka kushtuar puntatën e sotme Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili është një operacion monitorues i ngritur për të mbikëqyrur procesin e Vetingut të anëtarëve të gjyqësorit në Shqipëri. ONM-ja nuk ka funksione ekzekutive që prekin rivlerësimin aktual të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, çka kryhet nga organet vendore të Vetingut.
Ardhja e ONM-së parashikohet në Nenin B të Aneksit të Kushtetutës së Shqipërisë, që parashikon skemën për të ashtuquajturin "Vlerësim Transitor i Kualifikimit".
Më 18 janar 2017 autoritetet shqiptare i paraqitën një kërkesë zyrtare shërbimeve të Komisionit Evropian për ardhjen e ONM-së, duke e ftuar në mënyrë specifike ONM-në të fillonte operacionet.
Detyrat e vëzhguesve ndërkombëtarë janë disa, por një prej tyre ka të bëjë me “rekomandimet që i japin kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të komisionit., gjyqtarit të Kolegjit të apelimit dhe komisionerit Publik.”
Por kush janë anëtarët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit?
Theo Jacobs, Ish drejtor i Zyrës Qendrore për Sekuestrim dhe Konfiskim dhe aktualisht prokuror në Gjykatën e Apelit në Bruksel. Gjithashtu ai ka qënë Kryetar i seksionit për Zbatimin e Ligjit në misionin EUPOLCOPPS në Palestinë, Kryeprokuror në misonin EULEX në Kosovë dhe anëtar i skuadrës së Drejtësisë në Skuadrën për Planifikimin Evropian për Kosovën.
Ferdinando Buatier de Mongeot, gjykatës penalist për hetimet paraprake në Gjykatën e Komos Itali. Ish-gjykatës ndërkombëtar në Gjykatën e Rrethit për EULEX në Kosovë, Këshilltar në projektin EU CARDS për plotësimin e kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit pranë Zyrës së Prokurorit të Shtetit në Maqedoni.
Elka Ermenkova, gjyqtare ndërkombëtare në Gjykatën e Lartë në Kosovë. Anëtare e Panelit të BE-së për rishikimin e të Drejtave të Njeriut në seksionin e Zbatimit të Ligjit në Misionin EULEX në Kosovë dhe ish-gjyqtare në Bullgari.
Branko Hrvatin, Ish-president i Gjyaktës së Lartë të Kroacisë.
Hans Kijlstra, prej vitit 2002 gjyqtar i Gjykatës së Rrethit të Amsterdamit dhe kryetar i dhomës për ekstradimet dhe Urdhër Arrestet Evropiane. Ekspert i trafikimit të qenieve njerëzore.
John S. Leonardo, prej vitit 2012 dhe deri tani gjyqtar Prokuror në Shtetin e Arizonës, SHBA.
Mia Roessingh-Bakels, gjyqtare penaliste në seksionin penal të Gjykatës së Apelit në Arnhem, Hollandë. Eksperte në çështje të lidhura me gjyqësorin dhe shtypin.
Marie Tuma, gjyqtare penale me misonin e EULEX në seksionin e Zbatimit të Ligjit në Kosovë. Ish-prokurore e Gjykatës së Krimeve Ndërkombëtare për krimet e Ish-Jugosllavisë në Hagë.



