Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka përdorur herë pas here Terminalin Lindor të Autobusëve për të promovuar punën e tij dhe për të bërë premtime boshe. Në 24 korrik të vitit 2022, teksa inspektoi punimet, Veliaj tha se terminali do të hapej në shtator të po atij viti. Mirëpo terminali nuk u hap gjatë 2022-it dhe në nisje të 2023-it, Veliaj bëri sërish një premtim.
Në një intervistë për një televizion në janar të vitit 2023, kryebashkiaku u shpreh se terminali i Lundrës ishte gati dhe se do të hapej brenda pak ditësh. Por edhe kjo deklaratë rezultoi e pavërtetë. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, në 27 prill në një televizion kombëtar, Erion Veliaj tha se Terminali Lindor i Autobusave është gati, por po bëhen testimet e fundit dhe se do të hapet në fund të muajit maj.
“Xhadat” bëri një vëzhgim në këtë terminal dhe dukej se aty pjesa më e madhe e punimeve kishte përfunduar. Parkimi i autobusave dhe taksive ishte gati, e po ashtu edhe bizneset që do të operojnë në këtë terminal kishin nisur nga përgatitjet. Mirëpo asnjë prej punonjësve të biznesve nuk ishte në dijeni se kur do të hapej terminali. Ata u shprehën për “Xhadat” se kanë disa muaj që ju thonë se terminali do të hapet, por kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë bizneset ngritën dyshimet se kjo mund të ndodhë pas zgjedhjeve.
Mirëpo çfarë e pengon Erion Veliaj që ta inaugurojë këtë terminal përpara zgjedhjeve?
“Xhadat” pyeti qytetarët te terminal i vjetër i autobusave pranë Qytetit Studenti. Ata deklaruan se nuk janë aspak dakord me këtë ndryshim, pasi terminali i ri është shumë larg Tiranës dhe kështu do të kenë më tepër kosto për të përfunduar një punë në kryeqytet.
Ndërkohë, duke qenë se nuk kemi ende një datë të saktë për hapjen e Terminalit Lindor të Autobusave, “Xhadat” i dërgoi një kërkesë për informacion Bashkisë së Tiranës. Por deri në transmetimin e kronikës dhe publikimin e këtij shkrimi nuk kemi marrë ende një përgjigje nga ky institucion.



