
Lideri i serbëve të Mitrovicës, Oliver Ivanoviç, është sulmuar mëngjesin e sotëm, ndërsa hynte në zyrën e tij.
Dyshohet se sulmi është bërë me armë zjarri dhe si pasojë Ivanoviç ka mbetur i plagosur rëndë. Ai ka ndërruar jetë në spital pak minuta pas ngjarjes.
Lajmi u konfirmua nga Ksenija Bozhoviç, nga SDP, ndërsa policia e Kosovës ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar mbi këtë ngjarje.
Derisa Gazeta Metro raportoi se Oliver Ivanoviç, i dyshuar dhe gjykuar për disa krime në veri të Mitrovicës, është vrarë para pak minutash në pjesën e Mitrovicës ku jetonte.
Vdekja e Ivanoviç është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Shyqyri Syla. Ai tha për KTV-në, se Ivanoviç nuk u ka mbijetuar plagëve, pasi është qëlluar nga një automjet në lëvizje, i cili është gjetur nga Policia e Kosovës i djegur, në Zveçan të Vogël.
Ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit, paralajmëroi se në pjesën veriore të Kosovës mund të ketë sulme terroriste.
Raporti që mban datën 10 janar, përmend komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe si zona me shkallë të shtuar të rrezikut.
“Grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën. Terroristët mund të sulmojnë me pak ose pa paralajmërim, duke synuar zonat turistike, qendrat e transportit, tregjet dhe qendrat tregtare, objektet e qeverisjes vendore, hotelet, klubet, restorantet, vendet e adhurimit, parqet, ngjarjet kryesore sportive dhe kulturore, institucionet arsimore, aeroportet dhe zona të tjera publike. Përveç kësaj, dhuna e motivuar politikisht ndodh në të gjithë Kosovën”, thuhet në raport.
Vrasja e Olivanoviçit ndërpret bisedimet Prishtinë-Beograd
Vrasja e liderit të serbëve të Mitrovicës së Veriut është bërë shkak për ndërprerjen e raundit të bisedimeve Prishtinë-Beograd, që ishte parashikuar të mbahej sot në Bruksel.
Sipas gazetës serbe “Blic”, delegacioni i Serbisë i ka ndërprerë bisedimet në Bruksel, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, gjithnjë sipas “Blicit”, ka caktuar takim urgjent të Këshillit të Sigurisë së Serbisë.
“blic” raporton se shkak për ndërprerjen e bisedimeve janë vrasja e Ivanoviqit dhe kërcënimet e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili, gjatë akademisë së djeshme përkujtimore për masakrën e Reçakut, deklaroi se “Serbia plakë mos të provojë të kthehet, se nuk do të ndalemi deri në Nish”.
Pritet që Vuçiç të dalë para mediave në orën 13:00.
Sipas KTV, ndërprerjen e bisedimeve në Bruksel e ka konfirmuar edhe delegacioni i Kosovës.



