
Plazhet publike në Lezhë nuk kanë roje bregdetare duke u kthyer në një problem shqetësues për shkak se ka patur edhe pushues që kanë humbur jetën.
Në një lidhje telefonike në studion e lajmeve në MCN TV Juli Simoni, reporter bëri me dije se mungesa e vrojtuesve në plazhe vijon të mbetet një nga problemet më të mëdha për pushuesit.
Ai sqaroi se gjatë vijës bregdetare vihet re mungesa e kullave të vrojtimit, por dhe në ato vende ku janë të vendosura, mungojnë vrojtuesit dhe si pasojë pushuesit i mbetet të tregohet vetë i kujdesshëm në plazh.
Siguria në plazh mbetet problem në plazhet e Lezhës, si ai në Tale apo Shëngjin. Nga një vëzhgim të bërë sot rezulton se në pjesën më të madhe të plazhit mungojnë kullat e vrojtimit, por edhe atje ku janë të vendosura kullat ato janë bosh. Në këtë rast pushuesit shprehen të frikësuar. Ka pasur disa raste të personave të mbytur në det por nuk ka asnjë person të ndëshkuar lidhur me këtë çështje. Pushuesit vetë shprehen se në mungesë të vrojtuesve, ata thonë se mundohen të tregohen vetë të kujdesshëm dhe të ruajnë fëmijët pasi jeta e tyre nuk është aspak e sigurtë kur futen për tu larë në det.



