Ka qenë vetë kompania Shell që ka bërë me dije se ka vendosur të tërhiqet nga kërkimet në Shpirag, madje edhe se po vlerëson mbylljen e operacioneve në Shqipëri.
Në lidhje me këtë vendim inxhenieri i hidrokarbureve, Profesor Doktor Fatmir Hoxha, në ‘MCN Economy’ u shpreh se nafta në Shpirag ishte zbuluar më herët se ta merrte Shell projektin, por ekzistojnë zëra se nxirret naftë nga persona privatë dhe nuk dihet se ku shkon.
Ai tha se një kompani sheh interesin e saj në radhë të parë dhe vlerësimet e fizibilitetit janë të ndryshme për kompani të ndryshme, por një problem qëndron në faktin se ekspertët nuk pyeten as nga të huajt dhe as nga qeveria.
Vetë shoqëria kapitaliste është shoqëri që ka interesin. Miqësia dhe armiqësia është e përkohshme, interesi është i përhershëm, asnjë shoqëri kapitaliste nuk mund të qëndrojë jashtë interesit, kompania kështu e ka vlerësuar.
Tani kjo është një nga kompanitë më të mëdha të naftës në botë dhe këto hapa që ka hedhur nuk besoj se i ka hedhur pa ndonjë llogaritje interesi, mirëpo ndryshon tani situata në botë. Shell ka shumë objekte pune, nuk ka vetëm tek ne dhe nga llogaritjet që ka bërë ky projekt nuk i rezulton me interes.
Sa i përket naftës ajo është vërtetuar që ka aty dhe nuk e ka bërë Shell këtë zbulim, pastaj nuk janë aq të paditur për të ditur se aty ka naftë sepse Shpiragu shtrihet mes Patos Marinzës dhe Kuçovës, mes zonave të naftës. Ka zëra se aty nafta po nxirret nga persona privatë, por nuk dihet se ku shkon.
Më tej ai shtoi se një kompani ka interesat e saj të vlerësimit, nuk janë të gjitha me një standard, por nëse ai ka një opsion tjetër më të mirë dhe rezultativ ai shkon andej.
Këtu nuk është vetëm Shell, para saj kanë iku dy kompani të tjera të mëdha. Faza e kërkimit është fazë risku dhe aty ka një buxhet del apo jo nuk gjykohet shumë kjo lloj paraje, por problemi qëndron se këtu nuk dëgjohet mendimi i ekspertëve as nga të huajt dhe as nga qeveria.
Nuk është e thënë që kryeministri ti di të gjitha gjërat, ai është në një pozicion që duhet të riformatojë konsulentët tij në fusha të ndryshme. Një politikan veç gjërave që dëgjon ka dhe konceptet e tij politike, por them se nuk është arsyeja që sot nuk ka teknologji, unë e gjykoj se ajo ka vepruar në bazë të interesave që kompania ka sot. Aty kemi kosto të fryra për punimet.
I pyetur nëse duhet të investohet apo jo në Shpirag, Hoxha tha se për këtë duhen studime dhe analiza.
Mendoj se kapitalet shqiptare tani kanë aftësinë të ndërmarrin vendime për investime të tilla, qoftë këtu por dhe në tregun botëror.
Madje biznesmenë më janë drejtuar nëse mund ta marrin Shpiragun ata. Unë mund të flas në mënyrë intiutive sepse për të dhënë një përgjigje të saktë duhet të kem një detyrë analize dhe konkluzioni. Duhen patjetër studime, ekspertiza për të kuptuar nëse duhet apo jo të investohet aty, por këtu nuk shfrytëzohet fare sidomos pika si nafta që mban shtetin, mban botën sepse shtete me rezerva nafte janë më të pasurit.



