Në seancën e sotme të komisionit hetimor për Inceneratorët, ka pasur debate të ashpra mes palëve, për shkak të kërkesës së opozitës për dëshmitarë shtesë dhe refuzimit të opozitës që pjesë të bëhen personat të cilët janë marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme, SPAK.
Një moment delikat gjatë mbledhjes ishte teksa pritej dëshmia e ish-anëtares së Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Fierit, Sabina Cenameri, e cila u përlot gjatë marrjes në pyetje.
Kjo bëri që socialisti Eduard Shalsi, t’i kërkojë kryetares Jorida Tabaku që të ndërpritet marrja në pyetje.
Ai tha se gjendja e papërshtatshme emocionale e zonjës Cenameri e bën të pamundur dëgjesën.
“Të jemi të kujdesshëm se në një gjendje emocionale të tillë, edhe pse është thirrur nga SPAK nuk do të jetë e vlefshme që të dëgjojmë një dëshmi të tillë. E kam të vështirë të dëgjojë dëshminë e një njeriu që është thirrur për të dëshmuar, nuk do i shërbejë komisionit”, deklaroi deputeti socialist.
Në replikë me të drejtuesja e komisionit, demokratja Tabaku tha se prekja e zonjës në fjalë, erdhi pas deklaratave të deputetëve të mazhorancës.
Sipas saj, zonja Cenameri po vihet më kot mbi presion.
“Nuk u cenua nga asgjë që thamë ne, ju rekomandojmë që të mos vazhdoni”, u shpreh Tabaku.
Në seancën e sotme me anë të dokumenteve të publikuara nga PD, u pretendua përfshirja e ministrave dhe ish-ministrave të kabinetit qeverisës, duke denoncuar procedurat koncensionare për inceneratorin e Elbasanit.
Në to pretendohet se ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka firmosur një kontratë me vlerë 22 milionë euro, për 7 vite, për një kompani e cila rezulton pa eksperiencë në trajtimin e mbetjeve dhe pa të ardhura.
Bazuar në këto dokumente PD pretendon se firmosja e kontratës është bërë në kundërshtim me qëndrimin e Agjencisë së Prokurimeve Publike.
Po ashtu sipas PD, kundër miratimit ishte edhe ish-ministri i Financave të asaj kohe, Shkëlqim Cani.
Kësisoj PD pretendon se kompania “Albtech Energy”, e Stela Gugalljas, e ka marrë koncensionin prej 22 milionë euro, nën bekimin e Lefter Kokës, Arben Ahmetaj, Engjëll Agaçit dhe Edi Ramës.




