Qeveria do të rishikojë për herë të tretë buxhetin, i cili për vitin 2020 parashikohet të mbyllet me afro 347 milionë euro më pak.
Por nga ana tjetër, shpenzimet parashikohen me rritje prej mbi 169 milionë euro, ndërsa deficiti buxhetor do të arrijë shifrën rekord prej 133 miliardë lekësh. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, fajëson qeverinë, pasi duhet të ndalonte të gjitha kontratat PPP dhe koncesnisonet.
"Qeveria mundet të rishikojë disa shpenzime të panevojshme: shpenzime luksi dhe për disa kontrata. Qeveria duhet të mendojë për të ndaluar të gjitha kontratat PPP dhe koncesionet e shpallura nga kryeministri. Të gjitha llojet e kontratave, HEC-i i Skavicës, nënkuptojnë garanci me fonde publike. Nëse ne vazhdojmë me këtë lloj axhende borxhi publik, mund të bëhet i pakontrollueshëm dhe kërcënim për financiat publike të vendit", tha Xhepa.
Në aktin normativ të botuar në Fletoren Zyrtare, të ardhurat tatimore paraqiten me rënien më të madhe, pasi qeveria ka llogaritur edhe kostot nga heqja e tatimit mbi fitimin dhe TVSH-së për biznesin e vogël, tregues të cilët parashikohen me tkurrjen më të madhe. Kështu të ardhurat nga tatimi mbi fitimin parashikohen me rënie prej 4 miliardë lekësh nga rishikimi i fundit. Ndërsa nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar pritet të mblidhen rreth 12 miliardë lekë më pak.
"Në vend që thelbi i politikave fiskale të jetë shëndoshja e ekonomisë, politikat e çarjeve fiskale përmes përjashtimeve krijojnë rrjedhje të mëdha. Ato jo vetëm nuk i shërbejnë përmirësimit ekonomik të vendit. rishikimi i politikave fiskale duhet të bëhet me qëllim. Ajo që thotë FMN është një sistem më i thjeshtë fiskal me një barrë më të moderuar, në mënyrë që të zgjerohet baza e tatimpaguesve", thotë Xhepa.
Gjithashtu edhe konsumi është tkurrur. Me rënie me 9 miliardë lekë parashikohen edhe të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për shkak të goditjes që pandemia ka dhënë në punësim.



