
Forcat izraelite të mbrojtjes hodhën në erë ndërtesën e Parlamentit në qytetin e Gazës e cila ishte nën kontrollin e Hamasit, ku të martën ushtarët e brigadës Golani kishin postuar foto me flamurin e shtetit hebre, pasi kishin marrë nën kontroll strukturën.
Ushtria ka publikuar edhe videon e momentit të shpërthimit.
Zyrtarët mjekësorë në Rripin e Gazës thonë se më shumë se 11 mijë persona kanë vdekur si rezultat i sulmeve izraelite, rreth 40 për qind e tyre fëmijë, dhe shumë të tjerë janë bllokuar nën rrënoja.
Rreth dy të tretat e 2.3 milionë banorëve të Gazës kanë mbetur të pastrehë, të paaftë për të ikur nga territori ku ushqimi, karburanti, uji i freskët dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.
Ndërkohë Izraeli thotë se Hamasi vrau 1200 njerëz në sulmin e 7 tetorit.



