Gazetari Klodian Tomorri, hapjen e rrugës nga Parlamenti për arrestimin e Arben Ahmetaj, duke i hequr imunitetin, deklaron se gjatë muajve të fundit ka pasur përplasje publike mes Edi Ramës me ish-zëvendëskryeministrin. Nga studio e lajmeve të MCN TV, ai tha se ka patur deklarata dhe replika në distancë mes tyre. “Deklaratat kulmuan me thënien e famshme të Kryeministrit: nëse do isha unë gjykatësi, sigurisht gjërat do ishin shumë më keq për ata që duan të jem unë gjykatësi. Ky proces ka marrë goditje në besueshmëri. Dy orë pas deklaratës së Kryeministrit, në banesën e bashkëshortes së zotit Ahmetaj, mësynë Oficerët e Policisë Gjyqësore, u ushtrua kontroll, banesa, u sekuestruan celularët etj. Procesi do ishte shumë më i besueshëm nëse Kryeministri do kishte qëndruar larg tij dhe nuk do kishte ndërhyrë me këto deklarata”. Tomorri tha se duket se zanafilla e këtij konflikti është fakti se Kryeministri dhe një pjesë e mazhorancës besonin se Arben Ahmetaj shiti dosjen e inceneratorëve, siç dhe qarkullon. Sipas tij, ky thashethem bëhet më i besueshëm duke parë mënyrën se si kanë rrjedhur ngjarjet ku nga numri 2 i qeverisë u eleminua politikisht, ku fillimisht u shkarkua si zv.kryeministër, më pas si drejtues i qarkut politik Vlorë dhe sot u hoq imuniteti dhe u autorizua Prokuroria për arrestimin e tij. “Kauza e implikimit direkt të ish.ministrit të Financave dhe Ekonomisë në procedurën e koncensioneve të inceneratorëve është pak e dobët. As vetë SPAK nuk ka ngritur akuzë për shpërdorim detyre ndaj zotit Ahmetaj, se nëse ke favorizuar dikë, ke bërë apo jo një veprim apo mosveprim në kundërshtim me ligjin. SPAK nuk ka ngritur një akuzë për shpërdorim detyre, por e ka fokusuar hetimin në akuza për marrje ryshfeti nga persona e përfshirë te inceneratorët, të konosliduara në pasuri të patundshme. Ahmetaj nuk e ka mohuar asnjëherë njohjen me Mirel Mërtirin, ndërsa për Zoton ka thënë e njoh në distancë nuk e kam mik. Sa i takon akuzës së ngritur për ryshfet, nga ajo që kemi parë në dosje, nga pjesa që është bërë publike deri tani, është e paqartë mënyra se si është kanalizuar ryshfeti. SPAK për vilën e Hamallaj thotë se është porositur nga Zoto, ka kaluar në dorën e një biznesmeni tjetër dhe më pas bashkëshortja e zoti Ahmetaj e ka blerë. SPAK nuk sqaron në dosjen hetimore se transaksioni bankar që ka bërë bashkëjetuesja e zotit Ahmetaj për të blerë pronën nga biznesmeni, ka qenë fiktiv. Apo është kryer dhe më pas paratë janë tërhequr nga biznesmeni me thes dhe i janë kthyer mbrapsht bashkëjetueses së zotit Ahmetaj. Ka një pikëpyetje tjetër të madhe, nëse ti akuzon për një trekëndësh të kanalizimit të ryshfetit dhe pastrimit të parave, nëse thua që është skenë ryshfeti dhe pastrimi parash, pyetja që shtrohet pse nuk ka akuzë për biznesmenin që është përfshirë në trekëndësh.” Lidhur me deklaratën e Ahmetaj, ai shtoi se duke ndjekur linjën që është i pafajshëm, ka një linjë të tijën, se si do mbrohet. “Ky hetim se si u bë dhe si po konsumohet në publik me dosjen që po del copa copa, kjo ka goditur besueshmërinë e një dosje hetimore. që duhet të nxirrte prova shteruese për të nxjerrë para ligjit fajtorët. Mazhoranca ka pasur dëshirë për ta parë zotin Ahmetaj në burg dhe nuk besoj se kjo dëshirë ka qenë për çështje parimore.” Tomorri deklaroi se inceneratorët kanë qenë një aferë korruopsioni ku është e zhytur gjithë qeveria dhe është një kapje e mirëfilltë e shtetit dhe nuk ka lidhje vetëm me një ministër apo zyrtar dhe se forma më e rëndë e korrupsionit është kapja e shtetit dhe nëse duam të hetojmë do të shkojnë pas hekurave shumë zyrtarë të lartë të asaj kohe. “Një nga paradokset që mbart në vetvete dosja hetimore e inceneratorëve, këta e ndanë hetimin në pjesë-pjesë. Nuk e hetuan të gjithë çështjen si një të vetme, kur faktet dhe provat janë të qarta se bëhet fjalë për një aferë të vetme, ku janë të njëjtët njerëz të përfshirë për të shtënë në dorë të tre inceneratorët. Nëse thua se kjo gjë është korrupsion, ti nuk mund të lejosh pagesat që korrupsioni të thellohet.”



