Kreu i BDI Ali Ahmeti ka bërë thirrje nga Tirana për unitet mes shqiptarëve në mbrojtje të vlerave të luftës dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fjalën e mbajtur në protestën në sheshin “Skënderbej” Ahmeti vuri në dukje se “liria e Kosovës nuk duhet të shndërrohet në arenë për politika individuale e partiake”.
“Kështu qofshim përherë, Tirana, Prishtina e Shkupi. Po ngremë zërin për drejtësi, për respekt, për luftën tonë të drejtë, për liri, demokraci, pavarësi dhe miqësi me SHBA-në e Evropën”, tha ai.
Sipas Ahmetit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës “ka respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare për luftën dhe nuk ka shkelur ligjet e luftës”.
“Liria e Hashimit, Kadriut, Rexhepit, Jakupit e të tjerëve është e vonuar dhe duhet të vijë menjëherë”, theksoi ai.



