Udhëheqësi i Demokratëve të Suedisë, parti e ekstremit të djathtë, e ka cilësuar presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, një "diktator islamist", ndërsa Ankaraja vazhdon të kundërshtojë miratimin e ofertës së Stokholmit për anëtarësim në NATO.
Jimmie Akesson, partia e të cilit aktualisht po mbështet qeverinë suedeze, i bëri komentet në një intervistë me gazetën “Dagens Nyheter”, botuar të mërkurën.
“Ka kufizime se sa larg do të shkonte vendi për të qetësuar Turqinë për të siguruar anëtarësimin e saj në NATO "...sepse është në fund të fundit një sistem antidemokratik dhe një diktator me të cilin kemi të bëjmë," i tha Akesson gazetës.
Akesson vuri gjithashtu në pikëpyetje nëse presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili krenohet se nuk ka humbur kurrë zgjedhjet kombëtare gjatë 20 viteve të sundimit, mund të quhet i zgjedhur në mënyrë demokratike.
"Unë jam kreu i partisë anti-islamike SD dhe kam pikëpamje të forta për një diktator islamik si Erdogan. Ai zgjidhet nga populli, po. Por edhe Putini në këtë kuptim," tha Akesson.
Demokratët e Suedisë kundër imigracionit (SD) u bënë partia e dytë më e madhe e vendit në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit me 20.54 për qind të votave. Mbështetja e tyre është thelbësore për të mbështetur qeverinë e koalicionit të djathtë të kryeministrit Ulf Kristersson.



