“Bankat frenojnë kreditë për apartamente”, Meka: Tregu po hyn në normalitet. Soko: Fokusi i ndërtimit po zhvendoset drejt bregdetit

“Bankat frenojnë kreditë për apartamente”, Meka: Tregu po hyn në normalitet. Soko: Fokusi i ndërtimit po zhvendoset drejt bregdetit

Tremujori i parë i këtij viti ka shënuar një frenim të ndjeshëm të kredive për apartamente, ndërsa paralelisht është vërejtur një rritje e fortë e kredive konsumatore. 

 

Lidhur me këtë zhvillim, të ftuar në “MCN Economy” ishin profesori i ekonomisë Elvin Meka dhe eksperti i ekonomisë Pano Soko, të cilët analizuan arsyet e kësaj tendence dhe ndikimin në tregun e pasurive të paluajtshme.

 

Profesori Elvin Meka u shpreh se, edhe pse kreditimi për pasuri të paluajtshme ka pësuar rënie me rreth 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli mbetet ende i lartë. 

 

Masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë kanë nisur të japin efektet tani, ndërsa vetë bankat po tregojnë më shumë kujdes ndaj kredive për pasuri të paluajtshme. 

 

Bankat kanë hyrë në një zonë ku ka më shumë vëmendje ndaj kredive për pasuri të paluajtshme, prandaj kemi këtë frenim dhe jo një stopim të plotë.

 

Ndikim kanë edhe çmimet e larta, të cilat kufizojnë interesin e qytetarëve për të marrë më shumë hua për apartamente. Këto janë sinjale që tregu po hyn në një terren më normal.

 

Ai shtoi se bankat do të vazhdojnë të financojnë sektorët ku ka nevojë për mbështetje, por do të orientohen drejt atyre segmenteve ku fitimet dhe marzhet janë më të favorshme. 

 

Në Shqipëri kreditë për pasuri të paluajtshme janë të përqendruara kryesisht te individët dhe jo te bizneset, çka e bën situatën më të qëndrueshme financiarisht.

 

Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Pano Soko deklaroi se bankat kishin një ekspozim të lartë ndaj sektorit të ndërtimit për shkak të bumit që ka përjetuar ky sektor vitet e fundit. Ai tha se Banka e Shqipërisë ndërhyri për të vendosur kufizime dhe kritere shtesë, me qëllim shmangien e riskut.

 

Bankat po investonin shumë në një sektor të vetëm, siç është ndërtimi. Ato kanë nisur të rishpërndajnë asetet dhe sot janë më të përqendruara te kreditë konsumatore. Diversifikimi është një detyrim, pasi ndërtimi po rritej në mënyrë jo shumë të shëndetshme.

 

Sipas tij, po vihet re edhe një ndryshim i fokusit gjeografik të ndërtuesve, të cilët po largohen gradualisht nga Tirana dhe po orientohen drejt zonave bregdetare dhe turistike.

 

Po shohim një zhvendosje të fokusit drejt bregdetit. Kjo tregon një ‘shift’ gjeografik që pritet të sjellë pasoja edhe në situatën ekonomike të sektorit në vitet në vijim. 

 

Kullat në Tiranë kanë sipërfaqe që variojnë deri në 50 mijë metra katrorë. Kostoja e ndërtimit është rreth 1 mijë euro për metër katror. Pra, për të ndërtuar një kullë nevojiten dhjetëra miliona euro dhe normalisht nuk ka bankë apo bashkim bankash që të financojë 70-80 milionë euro, madje as gjysmën e kësaj shume. 

 

Pikërisht këtu lind me të drejtë pyetja: ku gjenden këto para? pra burimi i tyre është i paqartë, nuk e di se si e kanë paguar atë taksën e 11% pa e marrë lejen.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy