
Pavarësisht se është në pritje të hapjes së negociatave, për Maqedoninë e Veriut duket se drita jeshile për procedurat e anëtarësimit në BE do të vonojë. Gjatë një takimi me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, pranoi se për momentin nuk ka pajtim të plotë midis vendeve anëtare të BE-së për të autorizuar hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut.
“Unë e di se disa shtete anëtare kanë disa shqetësime. Unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për t’i bindur ato”, tha Juncker.
Juncker theksoi se Komisioni e ka bërë të qartë se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet e mundshme dhe se tani i mbetet Këshillit të BE-së që të mbajë pjesën tjetër të premtimit.
Ndërsa Zaev është shprehur se vendi i tij i ka përmbushur kushtet dhe tani pret që pala evropiane të tregojë mirëkuptim.
“Hapja e negociatave është një garanci unike për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm dhe një impuls reformash në Maqedoninë e Veriut, me efekte pozitive në të gjithë rajonin”, është shprehur Zaev.



