
Kush kapet me armë pa leje, do të dënohet 5-15 vite burg. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e bëri një paralajmërim të tillë gjatë fjalës së tij në seancën e sotme parlamentare. Duke folur për ndryshimet në Kodin Penal, Lleshaj tha se dënimet e mëparshme për armëmbajtje pa leje kanë qenë simbolike.
“Dënimet që janë dhënë ndaj personave të kapur me armë kanë qenë të pamjaftueshme, kanë qenë simbolike. Ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të ndahen nga armët. Për këtë, Kodi parashikon që, për ata që kapen me armë dënimet fillojnë nga 5 vjet deri në 15 në rast përsëritje. Do bëjmë përpjekje që të rëndojmë kushtet për marrjen e armëve me leje”, tha ai.
Lleshaj paralajmëroi edhe ashpërsim të dënimeve për ata që tentojnë të bllokojnë rrugët.
“Është bërë modë në Shqipëri që kush është i pakënaqur nga veprime të caktuara të administratës, qeverisë, gjyqësorit të ushtrojë një vetëgjyqësi moderne duke bllokuar rrugët si përgjigje ndaj vendimeve që dikush nuk i pranon. Këtu ka ardhur koha që Kodi Penal parashikon qartësisht masa ndaj atyre që bllokojnë rrugët e vendit. Mentaliteti për të bllokuar rrugët duhet të marrë fund dhe qytetarët shqiptarë dhe politika duhet të kuptojnë që zgjidhja e problemeve ka vetëm një derë, kjo është dera e drejtësisë. Ata që do të tentojnë të bllokojnë rrugët duhet të llogarisin masa të reja të parashikuara nga Kodi Penal”, tha ai.



