
Në ditën kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje Rezolutën për gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, deputetja e PDK-së, Flora Brovina, shkaktoi skandal me një fotografi, për të cilën ajo tha se është pamje e dhunimit të një gruaje shqiptare nga forcat serbe, në kohën e luftës në Kosovë, vërtetësia e së cilës u vu në dyshim.
Pak orë pasi Brovina e tregoi fotografinë para gazetarëve të mbledhur në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, media të ndryshme në Kosovë raportuan për ueb-faqe irakiane që kishin fotografi që dukej e njëjtë, e që diku thuhej se ishte “dëshmi” për krimet e forcave amerikane ndaj grave në Irak, e diku prezantohej thjesht si një aktrim pornografik.
Brovina insistoi edhe mbrëmë në disa emisione televizive se fotoja e prezantuar prej saj është “e vërtetë” dhe se “dhunimi” i shfaqur në të “ka ndodhur në Kosovë”. Brovina tha se foton e mori nga një person fizik, po ashtu tregoi se nuk ka qenë askush në dijeni në lidhje me këtë, madje as partia e saj PDK dhe anëtarët dhe deputetët e saj.
E vërteta e saktë ka gjasa se do të mund të mësohet vetëm pas ekspertizës së fotove dhe ueb-faqeve, por qysh të enjten shumëkush ka shprehur dyshime në vërtetësinë e pretendimeve të deputetes së PDK-së, ndërsa Prokuroria e Kosovës ka hapur hetime rreth rastit, thotë portali Koha.net. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përmes një komunikate për media njoftoi se ka ftuar zonjën Brovina të ofrojë dëshmitë që ka dhe se do të hapë hetimet mbi fotografinë e publikuar.
Por edhe para hedhjes së dyshimit në vërtetësinë e fotove, janë bërë reagime të shumta kundër mënyrës se si Brovina e PDK-së ka zgjedhur të “tronditë” publikun me foton diskutabile.
Madje e mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman ka reaguar pas publikimit të fotografisë se sotme nga deputetja Flora Brovina.
“Mos e përdorni dhimbjen tonë dhe vuajtjet për përfitimin tuaj. Ma plaset zemrën”, ka shkruar Krasniqi në Twitter.
Mediat serbe shkruajnë sot se fotoja, për të cilën u tha se është gjetur në aparatin e një ushtari serb ishte e rreme, dhe se është shkrepur në territorin e Irakut, e jo të Kosovës.
Sipas Telegrafit serb, e cila i referohet mediave në Prishtinë , deputetja e Kuvendit të Kosovë, përmes një fotoje të prezentuar, pretendon se një grua shqiptare e Kosovës është përdhunuar dhe se anëtarët e familjes së saj janë detyruar të shikojnë nën kërcënimin e armëve. Ajo tregoi foton përpara seancës së Kuvendit, programi i të cilit është projekt-rezoluta mbi genocidin e supozuar të kryer nga forcat serbe gjatë konfliktit të fundit dhe propozimin për krijimin e të ashtuquajturës " një "komision shtetëror" për formimin e një gjykate për serbët, thotë Telegrafi serb.
Sipas këtij medium, kjo fotografi është shkrepur në tërritorin e Irakut, e jo të Kosovës.
Ndërkohe sot, Brovina, ka kërkuar falje që nuk ka bërë verifikimin paraprak të fotos, para se ta publikonte http://www.tematv.al/node/63131



