Mjeku Gani Abazi, ekspert i shëndetit publik në Univeristetin e Harvardit, thotë se vaksina mbetet mjeti më efektiv përballë variantit Omicron. Përmes Skype-it, Abazi tha se deri tani nuk ka asnjë studim që vërteton rezistencën e këtij varianti ndaj vaksinave aktuale.
Omicron shpërndahet më shpejt se variantet e tjera. Por është i ndjeshëm ndaj vaksinave që janë në përdorim.
Rëndësinë e vaksinës, Abazi e argumenton me numrin e lartë të të infektuarve te të pavaksinuarit.
Për mortalitetin po bëhen studime, por personat e vaksinuar kanë shumë shanse t’u mbijetojnë formave të rënda të Covid-19. Statistikat në SHBA tregojnë se mbi 95% e atyre që shkojnë në spital me forma të rënda janë të pavaksinuar.
Sipas tij, rezistenca ndaj vaksinës duhet kushtëzuar me mohimin e kasesit në shërbime publike.
Personave të pavaksinuar duhet t’u kufizohet aksesi në shërbimet publike. Ne kemi përgjegjësi ndaj shëndetit të të gjithë qytetarëve dhe jo ndaj të drejtave të një qytetari që nuk dëshiron të vaksinohet.



