
Shtyrja e celebrimit të martesës dhe frika nga Covid ka ulur planifikimin e çifteve për t’u bërë me fëmijë.
Kjo gjë është parë nga të dhënat e INSTAT, ku vitin e kaluar u firmosën rreth 17.5 mijë celebrime në vend. Ky është numri më i ulët i martesave që raportohet të paktën që prej vitit 1990. Në krahasim me 2019-n, celebrimet ranë me 22%.
Ndërkohë që sipas ekspertëve të materniteteve shtetërore krijimi i një familjeje duket se është shtyrë pas vaksinimit, për shkak të frikës nga problemet që mund të shkaktojë tek embrioni COVID-19.
“Disa çifte po hezitojnë për nisje të shtatzënisë, për disa arsye. Së pari, shumë çifte presin të vaksinohen dhe më pas të nisin një shtatzëni të mbarë dhe lindje të shëndetshme të fëmijës. Ka shumë spekulime për efektet anësore të vaksinës te pjelloria. Në opinionin tim, këto aludime nuk janë të vërteta. Ende nuk ka një studim të mirëfilltë shkencor, por nisur nga vaksinimet e tjera ndaj popullatës edhe kjo është si gjithë vaksinat e tjera. Gratë shtatzëna që mund të preken nga COVID-19, mund ta kalojnë me simptoma më të rënda, pasi gjatë shtatzënisë, nganjëherë, ka tendencë për fenomene trombotike, të cilat shpeshherë shfaqen edhe tek COVID – 19”, thotë mjekja obstetër gjinekologe, Afërdita Kruja për Monitor.
Ulja e numrit të celebrimeve filloi që në muajin mars, ku u lidhën vetëm 640 akte martese, nga gati 1,700 në të njëjtën periudhë të një viti më parë.




