Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, Arben Kraja prezantoi në Komisionin e Ligjeve, raportin vjetor të punës së institucionit të drejtuar prej tij.
Kraja bëri të ditur se SPAK ka funksionuar me 15 prokurorë, nga 20 që janë miratuar në Kuvend, ndërsa hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit kanë qenë 29.
Duke përmbledhur shifrat, Kraja deklaroi se janë bërë 344 kallëzime, prej tyre 217 procedimi penale.
Ka pasur 675 procedime penale me 519 persona në hetim. 84 persona për krim të organizuar, 59 për vepra të tjera të lidhura. Janë dënuar 230 persona, prej tyre 94 për krim të organizuar.
Në apel ndodhen 205 çështje themeli. Prokuroria e posaçme i ndjek çështjet e tyre në tre shkallët ankimit, me një ngarkesë të lartë në punë.
Sa i takon veprave penale për pastrimin e parave, deklaroi se nuk është kompetencë prioritare, duke sqaruar se në vijim të hetimeve të kryera janë dënuar 11 persona si të përfshirë në pastrimin e parave.
Në buxhetin e vitit 2023 do të paraqesim kërkesat për plotësimin e nevojave për ambiente të reja pune, se jemi në kushte pamundësie për objekt dhe me shtimet e reja nuk do të kemi kapacitete.
Kemi pasur mbështetje nga Kuvendi. Lidhur me deklaratat për ndërhyrje nga politika, kemi standard të mos ndikohemi nga deklarimet publike.
Ne nuk i ndalojmë dot, por duhet të vazhdojmë të shohim provat dhe dosjet. A duhet miratuar një nen që ta ndalojë këtë? Në draftin tonë ka qenë diçka e parashikuar, por u hoq.
Ne ushtrojmë funksionet, ndonëse sa më komod të jesh aq më mirë.
Lidhur me kërkesat dhe nevojat e SPAK në Kuvend, Kraja tha se është ndjekur rruga ligjore në mënyrë të vazhdueshme, nëpërmjet paraqitjes së projektbuxhetit të strukturës dhe paraqitja e nevojave për ndryshime ligjore, duke nënvizuar se kërkesat që kanë pasur u janë plotësuar.
Më tej shtoi se gjatë gjithë vitit kanë qenë efektiv 15 prokurorë se dy u shtuan në mes të vitit, duke nënvizuar se tre mungesat nëse do të plotësoheshin do të jepnin rezultate më efektive.



