
Alternativa për Gjermaninë (AfD), parti e ekstremit të djathtë, e ka lënë pas për herë të parë socialdemokratët, në një sondazh rezultatet e të cilit u publikuan të hënën.
Sondazhi i kryer nga INSA dhe i komisionuar nga gazeta “Bild” tregon se AfD ka 16 % mbështetjen e gjermanëve në krahasim me 15.5% që kanë socialdemokratët. Rezultati i këtyre të fundit është ndër më të dobëtit për një parti tradicionale të madhe gjermane.
I njëjti sondazh i jep partisë së kancelares Merkel, CDU, një mbështetje prej 32%.
Rezultati i dobët i SPD-së vjen në një kohë kur kjo parti po diskuton drejtimin që do të ketë në të ardhmen. Kreu i saj, Martin Schulz, dha dorëheqjen javën e kaluar, duke e shkaktuar debate brenda partisë.
SPD mori rezultatin më të dobët që nga koha e pasluftës në zgjedhjet e shtatorit në Gjermani. Fillimisht, ajo e refuzoi koalicionin me kancelaren Merkel, por më pas iu bashkua idesë së një koalicioni të gjerë.
Megjithatë, me këtë fakt nuk ishin dakord të gjithë socialdemokratët. Shumë prej tyre mendojnë edhe sot se partia e tyre do të dobësohet akoma më shumë brenda koalicionit me CDU dhe CSU-në.
Mbledhja e SPD-së më 4 mars do të vendosë nëse socialdemokratët do ta miratojnë apo jo marrëveshjen e koalicionit të arritur disa ditë më parë me kancelaren Merkel. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



