
Tan Brama është një nga koreografët më të njohur për publikun shqiptar, me një karrierë shumëvjeçare në fushën e kërcimit dhe veçanërisht të “street dance”.
Në një intervistë për emisionin “Zgjohu me MCN”, ai rrëfen fillimet e tij në këtë fushë që në moshë të re, si dhe rrugëtimin e gjatë si kërcimtar i hip-hop street dance në Shqipëri.
Ky vit ka qenë shumë i suksesshëm për mua. Synimi im ka qenë gjithmonë të çoj përpara kulturën e kërcimit hip-hop, me të cilën merrem që nga viti 1993.
Një nga arritjet më të mëdha të këtij viti, ka qenë pjesëmarrja në kampionatin më të madh të hip-hopit në Amerikë, “Hip Hop International”, ku garojnë grupet më të mira në botë.
Arrita të çoj tre grupe nga Shqipëria dhe kjo ishte një ëndërr që më në fund u realizua.
Duke u kthyer pas në kohë, Tan Brama tregon se fillimet nuk kanë qenë aspak të lehta por dëshira për kërcimin tejkalonte çdo kufi të kohës.
Nuk kishte suport si sot. Kishim vetëm disa revista hip-hop, shikonim fotografi të grupeve dhe përpiqeshim t’i imitonim.
Mbështesnim njëri-tjetrin, shkonim te njëri-tjetri për të kërcyer. Sot, shpesh shoh më shumë xhelozi.
Dikur kishte shumë grupe kërcimi dhe një frymë komuniteti, ndërsa sot, mjafton një video në TikTok që dikush të vetëquhet “më i miri” apo “VIP”.
Gjithmonë kemi kërcyer te Universiteti. Aty ishte starti, fillimi, pasioni që të mbante gjallë.
Ndërkohë punoja edhe si ndihmës motorist, sepse atë shkollë kam mbaruar. Ishte një periudhë jashtëzakonisht e bukur.
Brezi i ri sot i ka kushtet gati, ndërsa më parë mjaftonte vetëm hapësira e lirë.
Ne shkonim te Universiteti sepse aty kishte pllaka dhe mund të kërcenim më lirshëm.



