Banorët e zonës së Astirit kanë protestuar përsëri këtë të diel kundër zgjerimit të Unazës së Re, që sipas tyre prek drejtpërsëdrejti banesat e tyre.
Qytetarët kanë bllokuar qarkullimin për rreth 60 minuta, ku i kanë bërë apel qeverisë të ndërhyjë pasi në të kundërt do të përshkallëzojnë protestat.
Por një shqetësim tjetër që ngrihet është edhe zvarritja e legalizimit të shtëpive të tyre deri në 22 vite.
Sipas banorëve, përfaqësues të Ministrisë së Transporteve ARRSH-së dhe firmave private u kanë komunikuar për punimet rreth një javë më parë, por pa iu shpjeguar nëse do të dëmshpërblehen apo se ku do të transferohen.
Sakaq, qytetarët hedhin dyshime se ndërtimi i rrugës po përdoret si justifikim për të ndërtuar pallate.
Kjo ishte dita e dytë që banorët protestojnë duke bllokuar edhe qarkullimin e automjeteve, ku situata është përshkallëzuar edhe në konfrontim me drejtuesit e automjeteve.
Nga projekti i Unazës së Madhe preken rreth 350 banesa dhe biznese të qytetarëve.



