
Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Daniel Drobajn, 18-vjeçarin që akuzohet për plagosjen e rëndë të efektives së policisë Ina Nuka, në protestën e së enjtes para Parlamentit.
Gjatë kësaj proteste që banorët e Astirit kundërshtonin vendimin e qeverisë për shembjen e banesave të tyre, duke kërkuar dëmshpërblim 100%, humbi dy gishta për shkak të shpërthimit të një kapsolle efektivja e “Shqiponjave”.
Drobaj u arrestua nga policia mbrëmjen e të premtes, rreth 24 orë pas shpalljes në kërkim.
Në seancë, i riu erdhi me dorë të fashuar duke thënë se policët në komisariat e kanë goditur me shkelma, duke bërë që ai të mos lëvizë dot tre prej gishtërinjve të tij. Ndërkohë, 18-vjeçari ka pranuar se ka pasur tre kapsolla, por se ai i ka hedhur në drejtim të llamarinave që rrethojnë ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, e cila ndodhet pranë Parlamentit shqiptar, atje ku u zhvillua protesta e banorëve të Astirit javën e kaluar.
Ndërkohë, avokati i 18-vjeçarit është shprehur se prokuroria në fakt nuk ka asnjë lloj prove që të mund të vërtetojë faktin se ka qenë Danieli personi që ka shkaktuar plagosjen e rëndë të polices 24-vjeçare Nuka.
"Ai nuk ka kryer asnjë vepër penale, për shkak se plagosja e rëndë me dashje që prokuroria pretendon se e ka kryer, nuk kemi asnjë rrethanë konkrete që ligji parashikon. Nëse ai e ka hedhur një kapsollë në drejtim të grumbullit të policisë, nuk ka pasur qëllim për të dëmtuar ndonjë polic. Nuk kemi konfimin për nivelin e dëmtimit të të dëmtuarës, pasi Instituti i Mjekësisë nuk ka dalë me një rezultat për nivelin e dënimit.
Përsa i përket kundërshtimit të policisë, ai ka dalë në mbrojtje të banesës, nuk ka ushtruar dhunë. Protesta është në natyrën e saj, qëndresa e qytetarëve, dhe nuk ka pranuar për ta shoqëruar në polici.
Sipas tij, është ushtruar dhunë me sharje dhe goditje me grushte. Prokuroria nuk ka asnjë provë se plagosjen e ka kryer Drobaj, por pretendon se ka një kohë televizive dhe në mënyrë të përafërt pretendojnë se mund të jetë ky person. Ka pranuar se ka hedhur tre kapsolla", tha avokati.



