Sot është Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit. Pandemia e Covid-19 i ka vënë mediat e gjithë botës përballë disa sfidave. Por në Shqipëri, rasti është më specifik. Kreu i Këshillit të Medias, Koloreto Cukali, në një intervistë për TvT, thotë se gjatë situatës së pandemisë, në Shqipëri transparanca për qytetarët ishte minimale dhe kjo për shkak të qeverisë, që sipas tij, nuk e sheh të arsyeshëm informimin e plotë të publikut, duke penguar në këtë mënyrë median të bëjë punën e saj.
“Një gjë që ndodh vetëm në Shqipëri është fakti se në momentin kur transparenca me qytetarët duhej të ishte maksimale, këtu te ne ishte minimale. Ne nuk kemi pasur konferencë shtypi, kemi pasur vetëm deklarata shtypi. Një funksionar shtetëror duhet të dalë para mediave dhe t’u përgjigjet pyetjeve, jo thjesht të lexojë atë letrën që i japin pëpara. Pa folur për problemet ekonomike, rënien e reklamave, detyrimin për shkurtime dhe ulje pagash. Por pengesa kryesore për informim të saktë të publikut ka qenë fakti se qeveria nuk e konsideron të arsyeshme që publiku duhet të informohet”, tha ai.
Cukali vlerëson se informacioni në këtë situatë ka qarkulluar vetëm nëpër kanalet qeveritare, çka ka shmangur aksesin e gazetarëve në informacion.
“Nëse ka një moment ku media është faktori më i rëndësishëm për të qetësuar popullsinë dhe për ta informuar siç duhet, kjo është situata. Për fat të keq, media nuk ka mundur ta bëjë punën e vet siç duhet, pasi informacioni ka qenë krejtësisht i kontrolluar, gazetarëve nuk u është dhënë akses, mjekët apo punonjësit e tjerë janë penguar të flasin për mediat. Kjo do të thotë se nuk kemi pasur asnjë lloj mundësie për informacion të pavarur. I vetmi informacion që ka qarkulluar ka qenë përmes kanaleve qeveritare”, tha Cukali.
Sa i takon debatit të hapur ditët e fundit për pagesat e gazetarëve nga institucionet shtetërore, Cukali tha se fenomeni është shumë më i madh dhe më i kamufluar se dy rastet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale.
“Kjo është një praktikë e vazhdueshme dhe e përdorur gjerësisht: miklimi i gazetarëve nga ana financiare. Janë shumë ata që janë në borde të ndryshme ose në skema qeveritare. Unë di edhe raste kur një institucion qeveritar ndoshta nuk u jep një rrogë vetë gazetarëve, por ua jep përmes projekteve të tjera. Pra institucioni ka një projekt dhe i janë dhënë paratë një firme për të mbaruar një punë dhe ajo firmë punëson gazetarë si këshillltarë. Kjo është një nga mënyrat për të kapur median. Kemi një kod të etikës. Ky është një kod moral. Aty thuhet qartë që gazetari nuk mund të hyjë në marrëdhënie konflikti interesi. Nuk mundet që edhe të hajë bukë nga qeveria, edhe të mbrojë publikun nga ana e qeverisë. Nuk do të kufizohesha në dy rastet që kanë dalë tani. Ka shumë më tepër se kaq”, tha ai.



