Gjykata për Krime të Rënda ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda për konfiskimin e një hoteli 5katësh, së bashku me truallin ku është ndërtuar. Në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë biznesi eshte në pronësi të Shpëtim Brahimaj.
Ky hotel u konfiskua pasi dyshohet se kjo pasuri është krijuar me të ardhurat e aktivitetit kriminal të djemve të tij, Ermal Brahimaj dhe Isuf Koka (Brahimaj), ky i fundit i vrarë në një atentat me tritol në Gusht 2014.
Në bazë të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, rezultoi se familjarët Brahimaj nuk justifikon me burime të ligjshme financiare blerjen e truallit me sip. 2500 m2, në vlerën 150 mijë euro, si edhe investimin për hotelin, me sip.totale ndërtimi 3090 m2, në vlerë rreth 100 milionë lekë të reja.
Hetimi për këtë rast, fillimisht është ndjekur nga ana e Prokurorisë së Vlorës, në bazë të referimit të Drejtorisë së Policisë Vendore. Me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, në vitin 2015 gjykata e qytetit vendosi sekuestron preventive dhe më pas, hetimi i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda rezultoi se trualli dhe hoteli i regjistruar në emër të Shpëtim Brahimaj, është rrjedhojë e të ardhurave financiare nga aktiviteti kriminal i djemve të tij, Ermal Brahimaj dhe vëllait të tij, Isuf Koka (Brahimaj).
Të dy djemtë e Shpëtim Brahimaj kanë precedentë penalë në Itali dhe në Hollandë, ku ata shfaqen me emra të ndryshëm.
Gjatë procesit gjyqësor për konfiskimin e pasurisë, Prokuroria për Krime të Rënda vendosi në dispozicion të gjykatës materiale, ku evidentohen të dhëna me interes për hetimin në drejtim të ekzistencës së procedimeve penale dhe proceseve gjyqësore ndaj shtetasit Ermal (Brahimaj) Bajrami (i njohur edhe me gjeneralitetet Bashkim Brahimaj dhe Ermal Memo), i biri Shpëtim, i datëlindjes 08.01.1982, lindur në Vlorë dhe vëllai i tij Isuf Koka (Isuf Brahimaj), i biri i Shpëtim, i datëlindjes 12.08.1972, lindur në Qishbardhe Vlorë.



