Pas ndërprerjes katastrofike të së hënës, furnizimi me energji elektrike në Spanjë është rikthyer për më shumë se 99% të klientëve, tha operatori kombëtar i sistemit të energjisë elektrike.
“99.16% e kërkesës së gadishullit është rikuperuar tashmë. 100% e nënstacioneve të rrjetit të transmetimit janë funksionale. Ne vazhdojmë me punën e restaurimit”, njoftoi Red Electrica, kompania kryesore e menaxherit të infrastrukturës thelbësore Redeia.
Metroja dhe autobusët janë duke funksionuar, por ndërprerjet në aeroporte janë ende të mundshme.
Edhe pse të gjitha aeroportet spanjolle janë funksionale dhe me 99% të energjisë elektrike të rikthyer, operatorët u kanë këshilluar pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre dhe të konsultohen me linjën ajrore përpara se të udhëtojnë.
Operatori i aeroportit Aena tha se të gjitha aeroportet mbeten funksionale dhe se gjatë natës ata i përshtatën oraret e tyre sipas nevojave të pasagjerëve të riplanifikuar, me qëllim shmangien e mbipopullimit në terminale.

Për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, trafiku ajror pësoi disa vonesa dhe anulime gjatë së hënës, megjithëse vetëm 300 fluturime nga 6000 të planifikuara në të gjithë Spanjën u anuluan.
Portet arritën të mbeten funksionale falë sistemeve elektrike të emergjencës.
Sipas Red Electrica dhe Redes Energeticas Nacionais, operatorët e rrjetit elektrik të Spanjës dhe Portugalisë, ndërprerja filloi rreth orës 11:33 të së hënës dhe u shkaktua nga një fenomen i rrallë atmosferik.
Ndryshimet e forta të temperaturës në brendësi të Spanjës shkaktuan “dridhje atmosferike të induktuara” në linjat e tensionit shumë të lartë, duke gjeneruar lëkundje serioze dhe dështime sinkronizimi midis sistemeve elektrike.
Kjo shkaktoi shkëputje të radhazi të termocentraleve, përfshirë një në Francë, duke destabilizuar të gjithë rrjetin iberik.
Nuk ka prova se ishte një sulm kibernetik apo sabotim, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Megjithatë, hetimet janë duke vazhduar dhe asnjë hipotezë nuk është përjashtuar përfundimisht.



