Ministri francez i Arsimit Gabriel Attal ka vizituar një shkollë ku nxënësit refuzuan të shikonin një pikturë të shekullit të 17-të që portretizonte gra nudo.
Disa gjimnazistë të vitit të parë thanë se ishin ofenduar nga puna e piktorit italian Giuseppe Cesari.
Ata më vonë pretenduan se mësuesi i tyre kishte bërë komente raciste dhe islamofobike, një pretendim i mohuar nga shkolla.
Piktura në fjalë, e titulluar Diana dhe Actaeon, daton nga epoka e Rilindjes dhe portretizon një skenë mitike nga Metamorfozat e poetit romak Ovid.
Në tregim, gjahtari Actaeon befason perëndeshën Diana dhe nimfat e saj duke u larë. Piktura e Cezarit, e cila është varur në Luvër, portretizon Dianën dhe katër nimfa femra plotësisht nudo.
Më 7 dhjetor, një mësuese frënge ia tregoi pikturën klasës së saj. "Studentët hodhën sytë larg, u ndjenë të ofenduar, thanë se ishin të tronditur," tha Sophie Vénétitay, sekretare e përgjithshme e sindikatës së mësuesve Snes-FSU.
Të nesërmen, sipas raporteve franceze, një prind i shkroi drejtorit duke pretenduar se djali i tij ishte penguar të shprehej në një diskutim të mëvonshëm në klasë.
Tensionet me sa duket kanë qenë të larta në shkollë që nga fillimi i semestrit në shtator, me zyrtarët që detajojnë ankesat e përsëritura nga prindërit për kursin dhe ndëshkimet.
Të martën, mësimi në shkollë rifilloi pas një ndërprerje disaditore. Stafi në shkollën Jacques-Cartier kishte refuzuar të jepte mësim pas incidentit, për të cilin ata thanë se ishte simptomatike e një prishjeje të autoritetit atje. Attal tha se mësuesit e shkollës kishin "mbështetjen e plotë të tij".



